TIRANË- Pas apelit të ndërkombëtarëve, atij të Avokatit të Popullit, Igli Totozani dhe rezistencës së shfaqur nga 37 familje rome në Tiranë, që rrezikonin të dëboheshin me forcë nga toka pranë pallatit me shigjeta, ku kanë ngitur çadrat dhe barakat e tyre, vjen edhe reagimi i Policisë së Shtetit.
Burime të News 24 bëjnë me dije se kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka dhënë një urdhët për ndalimin e dëbimit të këtyre personave nga zona ku banojnë.
Sipas tij, asnjë individ nuk do të bëjë vetëgjyqësi ndaj romëve. “Nuk do të lejojmë asnjë dëbim të familjeve romëve. Firma ndërtuese nuk do lejohet të ndërmarrë asnjë veprim pa u sqaruar situate”, shprehet ai.
Burgaj shton se, “Firma nuk do lejohet të kryejë asnjë ndërtim pa patur titull ekzekutiv të Përmbarimit dheleje mjedisore nga Bashkia”.
Ndërkaq bëhet me dije se policia ka çuar në Prokurori materialet për prishjen e barakave.
Sot, disa gra rome kërcënuan se do të sakrifikohen bashkë me fëmijët, nëse dikush do të tentojë ti largojë me dhunë nga çadrat, duke u shprehur se nuk kanë asnjë mjet jetese e jo më për strehim. Në lidhje me këtë çështje Avokati i Popullit, është takuar sot paradite me kryetarin në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Tiranë për të diskutuar mbi çështjen e komunitetit rom.
Në një konferencë të përbashkët, Avokati i Popullit Igli Totozani u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që t`i japin zgjidhje kësaj problematike që sipas tij është mjaft e mprehtë.
Nga ana e tij ambasadori Wilton theksoi se OSBE-ja është mjaft e shqetësuar për situatën e krijuar me komunitetin rom në Tiranë. Ai kërkoi që institucionet shtetërore të marrin parasysh kërkesat e AP në drejtim të romëve.
“Shteti i OSBE ka synim të veçantë për zbatimin e të drejtave të njeriut. Erdha këtu që t’i shpreh shqetësimin në emër të OSBE, Avokatit të Popullit, shpreh mbështetje për shqetësimin e tij mbi çështjen e romëve. Shpresoj që AP të marrë përgjigjet që kërkon mbi pyetjet që u ngre këtyre institucioneve. Institucionet përgjegjëse duhet të pranojnë situatën e romëve dhe të gjejnë zgjidhje. Kjo do t’i japë zgjidhje pyetjes nëse për këtë situatë sundon ligji apo betoni”.
AI: AUTORITET SHQIPTARE DUHET TË SIGUROJNË STREHIMIN
“Amnesty International i bën thirrje urgjente autoriteteve shqiptare për të siguruar strehim alternativ për familjet rome që u dëbuan me forcë këtë mëngjes nga shtëpitë e tyre në Rrugën e Kavajës në kryeqytet. Dëbimi i detyruar është kryer nga punonjësit e një firme ndërtimi, në mospërfillje të plotë të procedurave të legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare për dëbimet me dhunë”, thuhet në reagimin e AI. Amnesty International sqaron më tej se kishte kërkuar nga Ministria e Punëve Sociale ofrimin e ndihmës për këta persona, ndihmë e cila përfshin ‘strehim adekuat alternativ’ Po sipas AI, policia lokale mbërriti në vendngjarje vetëm pas apelit të Avokatit të Popullit dhe OSBE, duke pezulluar cdo përprjekje të firmës për të dëbuar romët.
AI shkuan më tej se, “Rreth 30 familje u larguan nga zona javën e kaluar, teksa u kërcënuan nga punëtorët e kompanisë. Autoritetet shqiptar duhet të mësojnë vendndodhjen aktuale të këtyre familjeve dhe të sigurohen që ato nuk janë lënë pastrehë. Megjithëse Shqipëria nuk ka një ligj që parandalon dëbimet e dhunshme, sipas ligjit shqiptar, pronari i tokës është i detyruar t’i paralajmërojë 10 ditë para romët që jetojnë aty. Sipas standardeve ndërkombëtare, romët duhet të kenë qenë të pajisur me një njoftim formal dëbimi, pavarësisht nëse ata kishin zënë tokën në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme.
/balkanweb/





