Dejana Terihati Burgija, është drejtoresha e zyrës së punësimit në Durrës. Në zyrat e institucionit që ajo drejton është i lartë numri i femrave që drejtohen për të siguruar një vend pune, pjesa dërrmuese e të cilave vijnë nga zona rurale apo kanë nivel të ulët arsimimi. Megjithëse pranon faktin se shoqëria jonë mbetet ende tradizionale dhe në shumë raste ka paragjykime mbi llojin e punës që duhet të bëjnë gratë, ajo vëren se vitet e fundit janë bërë hapa pozitivë në këtë drejtim dhe sheh si primare angazhimin dhe mbështetjen e grave për njëra-tjetrën për të dalë fitimtare në këtë betejë të nisur prej kohësh. 

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat me të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Ka dy elemente të rëndësishëm për karrierën. E para është sa e aftë je në punën që kryen dhe e dyti, sa e gatshme je të vesh punën në plan të parë. Problematika lidhur me mundësinë për karrierë për gratë është e lidhur me mentalitetin, zakonet dhe kulturën e vendit ku e zhvillojnë aktivitetin këto gra, që do të thotë me shanset që kanë ato të zhvillojnë veten në atë drejtim ku e ndjejnë që mund të japin më shumë.

Nëse ka një paragjykim mbi llojin e punës, kjo po mund të qëndrojë, pra çfarë pune mund të kryejë apo jo një grua. P.sh. nëse mundet gruaja të ndërtojë një karrierë në marinë, në ushtri, në polici ose të jetë shkencëtare etj. Shumë profesione shihen dhe sot jo të përshtatshme për një grua dhe ky mentalitet është sa tek gratë aq edhe te burrat. Kjo vlen edhe për karrierën në politikë. 

Për mua ka një problem të madh që lidhet me të qenit grua dhe nënë njëkohësisht. Ky problem ka të bëjë me kohën, që femra do t’i kushtojë punës, karrierës dhe familjes. Nëse mungon mbështetja nga familja, mundësitë e saj për të bërë karrierë reduktohen. Pra janë njerëzit më të afërt ata që të japin forcë dhe mbështetje për të patur sukses në punë. Problemi i sotëm që dëmton gratë në karrierë për mendimin tim është mungesa e etikës. Gruaja, për shkak të mentalitetit, është më vulnerabël përpara shoqërisë dhe mungesa e etikës e dëmton atë.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Karriera ime është modeste, kam punuar shumë pa i thënë jo çdo detyre që më është ngarkuar dhe kam patur mbështetjen e kolegëve dhe kolegeve të mia në punë. Kam sakrifikuar kohën time, mundin tim. Dhe për këtë më ka mbështetur familja ime, bashkëshorti im, prindërit e mi dhe të tijtë. Pa këtë mbështetje nuk mund të bësh asgjë.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Përballem me skepticizmin e burrave dhe të grave. Çdo paragjykim lidhet me mentalitetin e individit. Unë përsëri e them që ka profesione dhe pozicione që paragjykohen si të pamundura për gratë, qoftë për natyrën dhe profilin që ka puna, por dhe për kohën që duhet të vesh në dispozicion për ta kryer atë. Shoqëria jonë është një shoqëri tradicionale. Por të gjithë e ndjejmë që shoqëria është sensibilizuar për këto çështje dhe politika i ka reflektuar në masa konkrete.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Karriera është konkurencë. Kjo do të thotë të përballesh dhe të konkurosh të tjerët. Dhe kuptohet, kjo konkurencë krijon edhe koston e saj. Megjithatë raportet mes njerëzve ndërtohen dhe kur je njeri pozitiv dhe këto raporte do jenë të tilla. Gjatë punës sime kam patur raporte të mira me të gjithë koleget. Secila është përpjekur ta bëjë sa më mirë punën e saj, të ketë rezultate të dukshme dhe të kënaqshme.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Fuqizimi i gruas dhe rritja e pjesëmarrjes së saj në jetën ekonomike dhe politike janë prioritete të qeverisë sonë dhe të gjithë politikës shqiptare. Kjo vëmendje është reflektuar në legjislacion, në strategji zhvillimi etj. Kjo është një sfidë sidomos e grave. Janë ato që duke mbështetur njëra-tjetrën duhet të luftojnë mentalitetet e gabuara në shoqëri, në familje, aty ku i jepet mundësia. Janë ato që duhet të punojnë dhe të mos rreshtin së mësuari sa të kenë mundësi më shumë. Janë ato që duhet t’i mësojnë brezit të ri mendësitë e reja, tolerancën dhe barazinë. Asgjë s’është e pamundur. Është vetëm çështje vullneti dhe kohe.