Një ditë pas bërjes publike të lajmit për përjashtimin e tij dhe të këshilltarit tjetër të PD, Arlind Boshku , ka reaguar për “DurrësLajm”, kreu i grupit të këshilltarëve bashkiakë, Dritan Burgija.
Gjatë intervistës, Burgija shpjegon se lajmin për përjashtimin e tij e mori vesh nga mediat, nga gazetarët, pasi nuk i ishte komunikuar nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike një vendim i tillë.
“E mora me sportivitet lajmin, sepse e njoh veten dhe nuk ka shans askush të më zerojë kontributet në Partinë Demokratike”, tha ai ndër të tjera.
Burgija u akuzuar një ditë më parë, nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, për përfitime personale nga bashkia dhe se ka punuar për Partinë Socialiste në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Por a lidhet mosangazhimi i tij në fushatë me qejfmbetjet, që Burgija mund të ketë pasur pas mospërfshirjes së emrit të tij në listat e kandidatëve për deputetë?
Në përgjigjen e tij, Burgija zbulon detajet e një takimi me Berishën, pikërisht një ditë para daljes së listës.
“Jam takuar dhe më ka thënë që jam në vështirësi sepse kuota gjinore dhe aleatët më kanë vënë në vështirësi. Në çdo takim me të më ka falenderuar me superlativa për gjithë punën e bërë dhe me sa po ndodh duket që s’ka qenë i sinqertë.”,– tha ndër të tjera Burgija.
Ndërsa përmend faktin se ishte ndër të parët, në kohën e Foltores nr.1 që u rendit në krah të Sali Berishës, ndërsa partia drejtohej ende nga Lulzim Basha, Burgija thotë se ajo vula që ju rikthye PD-së, tani po përdoret për përjashtimin e demokratëve.
“Kam luftuar shumë që vula t’i shkojë Sali Berishës, jo si person, por që PD-ja të kthehej në shina, të vlerësonte meritokracinë. Por, sot jemi para faktit që ajo vulë po përdoret për të përjashtuar demokratët, pa arsye dhe pa fakte”,- thotë Burgija.
Ai ftoi strukturat drejtuese të degës, por edhe ato qendrore që të publikojnë faktet që kanë lidhur me përfitimet e tij nga bashkia dhe PS.
Pavarësisht përjashtimit nga grupi ikëshilltarëve demokratë, Burgija premton se do të vijojë të mbetet zë aktiv në mbledhjet e Këshillit. Por a do t’i bashkojë votat me PS, apo do t’i përgjigjet pozitivisht një ftese të bërë nga Partia Socialiste?
Ndiqni intervistën e plotë për të mësuar më shumë:
M.B.





