Deputeti i PD-së, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat tha se demokratët do të vendosin në mbledhjen e Grupit Parlamentar, që do të zhvillohet në orën 15:00, raportet që do të kenë me Kuvendin, pas burgosjes së Ervin Salianjit.

“Vendimi do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane, unë dhe deputetja Tabaku morëm pjesë dhe mbajtëm qëndrimin tonë përsa i takon procesit të integrimit. Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam.

Nuk mund të mbyllim sytë përballë asaj çfarë po ndodh. Mbasi ke vënë në arrest liderin e opozitës, ke burgosur eksponente të opozitës dhe më thua hajde tani, pa hyrë fare te çështjet korruptive. Çështjet më të zhurmshme më të zëshme si të inceneratorëve, që kjo drejtësi ka mbyllur sytë dhe nuk i sheh. Duhet të mbyllim sytë dhe ne? Sigurisht që jo”, tha deputeti.

Pyetje: A keni mbështetje ndërkombëtare për qëndrimet që do mbani?

“Ne kemi qëndrimet tona, se çdo të thotë a keni mbështetje ndërkombëtare nuk e di. Nëse janë kundër luftës sonë, besoj që nuk jemi në të njëjtën qëndrim. Po nuk besoj se do ketë ndonjë kundër.

Reagimet ndërkombëtare nuk i kontrolloj unë, edhe nga përfaqësia e BE ka reagime, duhet t’i japim vëmendjen e duhur”, u përgjigj Paloka.