Kryefamiljari 56-vjeçar, banues në lagjen nr 1 të Roskovecit, ka mbajtur të mbyllur në banesë për dy muaj bashkëshorten e tij 54 vjeçe dhe vajzën 7 vjeçe.

Policia e Fierit informon se anëtarët e kësaj familjeje vuajnë nga probleme mendore dhe nuk kanë mundësi ekonomike. Kështu, Shërbimi Social pranë Bashkisë kishte shkuar dje pranë familjes për të gjetur një mundësi ndihme për fëmijën e tyre, pasi prej dy muajsh kjo familje nuk kishte energji elektrike, por kanë hasur në rezistencën e kryefamiljarit Kozma Kola.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kundërshtimit ai ka qëlluar me sëpatë derën e banesës duke thyer xhamat dhe për pasojë është dëmtuar në sy punonjësi i policisë, shtetasi L.S.

Aktualisht polici ndodhet në spital nën kujdesin e personelit mjekësor, ndërsa Kozma Kola u arrestua.