Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Lulzim Cukun, nën akuzën “Vrasje për rrethana familjare”. 45-vjeçari Cuku vrau me thikë disa ditë më parë gruan e tij Manjola Cukun, 33 vjeçe, në Xhafzotaj të Durrësit. Prokuroria kërkoi arrest me burg, ndërkohë asnjë nga familjarët nuk është i pranishëm në sallë.

Prokurorja gjatë pretencës së lexuar në sallën e gjyqit tha detaje rrëqethëse. Ditën e krimit të rëndë, në katin e dytë dëgjoheshin të qarat e fëmijëve. Pranë trupit gjendeshin tre fëmijët të mbuluar në gjak. Gjurmët e gjakut të çonin tek tualeti, atje ku dhe policia gjeti gruan dhe tre fëmijët të mbuluar nga gjaku.

“Vajza gjeti nënën të mbytur në gjak. E tërhoqi nga banja deri te dera. Vajza i ka thene Prokurorisë se babi e rrihte mamin”.

Ndërsa i akuzuari, Lulzim Cuku, i mbrojtur me avokat të caktuar kryesisht, tha nga kafazi i hekurt se kishte 13 vjet martesë me Manjolën, një martesë e bërë me lajmësi. Ndërsa sipas tij, 3 muajt e fundit kishin mosmarrëveshje.

“Më tha do të të marr treçerekun e shtëpisë. Ajo nxehej shumë dhe nxehej shpejt. Thyente gjërat në shtëpi. Kam bërë maksimumin për gruan…

Më 19 janar Manjola ka marrë urdhër mbrojtje. Por unë nuk e kam zbatuar urdhrin e gjykatës.

Më 1 shkurt kemi qenë në dhomën e gjumit, rreth orës 22:00 isha në shtëpi. Më tha duhet të dalësh jashtë, por unë nuk dola. Fëmijët ishin në gjumë. Mora thikën dhe e kam goditur”.

I pyetur në sallë se përse e vrau? Pse e mbylli derën e banjës me çelës?

Cuku u përgjigj: “Kisha frikë se e shihnin fëmijët, prandaj e mbylla derën e banjës. Mora në qafë veten time dhe mora edhe atë më qafë. Kam qenë i mallkuar nga Zoti që bëra këtë”.

Në fund, Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, dhe Gjykata vendosi që Cuku do qëndrojë në burg nën akuzën “Vrasje për rrethana familjare”.