ITALI– Bursa e Milanos është mbyllur sot me një rënie prej 2.20% të treguesit Mib. Rënia e sotme ka qenë më e keqja në Europë për këtë fillim jave.
Gjithsesi të dhënat negative nga bursat priteshin pas vendimit të kryeministrit italian Mario Monti për të dhënë dorëheqjen. Monti deklaroi gjatë fundjavës se do të tërhiqej nga drejtimi i ekzekutivit italian, ndërkohë ish kryeministri Berluskoni shfaqi edhe njëherë dëshirën e tij për të qeverisur vendin pas largimit të tij nga posti për shkak të skandaleve që bënë xhiron e botës.
Monti, një ekonomist shumë i zoti, ka deklaruar se do të përpiqet të kalojë buxhetin e ligjit të stabilitetit financiar përpara se të largohet nga pushteti. Në një deklaratë të zyrës së presidentit Giorgio Napolitano thuhej se Monti nuk e konsideron të mundur vazhdimin e mandatit të tij e për pasojë, e ka bërë të qartë synimin për të paraqitur dorëheqjen nga posti i Kryeministrit.