TIRANE,8 gusht 2013 – Miratohen kriteret që duhet të plotë sojnë nxënësit dhe studentët për të përfituar nga 3550 bursa shteti që janë miratuar për vitin akademik 2013-2014. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që u mor ditën e djeshme, veç studentëve, që kanë të drejtë të përfitojnë bursë sepse përmbushin kriterin ekonomik, të drejtën për bursë e kanë studentë që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje Ari. Ndërkohë që stimulohen edhe studentët, që vazhdojnë studimet në programin e studimit Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik paraa-rdhës me notën mesatare mbi 8 tetë. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të bursës kur, janë ndarë nga trungu familjar; familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi; si dhe shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese. Sipas vendimit të qeverisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri akademik 2013-2014, urdhërohet të japë 1650 bursa për nxënësit dhe 1900 bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik.
KRITERET & KATEGORITË
Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Kjo përcaktohet në vendimin e qeverisë, e cila u miratua ditën e djeshme dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi parashikon kategoritë që përfitojnë sipas kriterit ekonomik, ato që kanë statusin e jetimit, që banojnë në fshat por nuk kanë shkollë 9- vjeçare brenda rrezes 5 km, nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik, secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik etj. Gjithashtu bursën e përfitojnë studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2013-2014, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për këtë vit akademik. Përfitojnë edhe ata studentë që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
PËRFITOJNË BURSË NXËNËSIT DHE STUDENTËT, BRENDA KUOTAVE DHE KRITEREVE TË PËRCAKTUARA NË KËTË VENDIM:
1. Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
a) Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg
vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe
plotësojnë kriterin ekonomik
b) Nxënësit, që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë
shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që
vendosen në konvikt publik.
c) Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e
jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
ç) Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur
kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës
së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
d) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që
plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt
publik.
dh) Fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë
statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që
plotësojnë kriterin ekonomik.
2. Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë):
a) Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që
kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha
notat 10 (dhjeta).
b) Nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në
shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare,
pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë
mbaruar vitin akademik pararendës me notën
mesatare mbi 8 (tetë).
c) Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të
shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme
me Medalje Ari.
ç) Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të
shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e
Arsimit dhe e Shkencës më të mirët e Maturës
Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit të
realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për
vitin akademik 2013 – 2014, numri i tyre do të jetë 25
(njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh
përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në
institucionet publike të arsimit të lartë dhe vetëm për
vitin akademik 2013 – 2014.
d) Studentët,që kanë mbaruar vitin akademik
pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
dh) Studentët, që vazhdojnë studimet në programin e
studimit “Matematikë” dhe në programin e studimit
“Fizikë”, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin
akademik paraardhës me notën mesatare mbi 8
(tetë).
3. Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
Nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë
së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të
Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga
Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të
Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së
Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak
të detyrës.
4. Sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë
(nxënës):
Nxënësit, që regjistrohen në shkollat e mesme
profesionale në degët bujqësore, veterinare, pyjore,
ndërtim, shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës
dhe gazit dhe gjeologji – miniera. Prioritet në trajtimin
me bursë kanë nxënësit që ndjekin shkollat
profesionale dhe me vendbanim të përhershëm në
zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si Tropoja,
Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita,
Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja,
Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe rrethi Tepelenë.
NXËNËSIT DHE STUDENTËT E TË GJITHA KATEGORIVE TË SIPËRPËRMENDURA NUK PËRFITOJNË BURSË OSE HUMBASIN TË DREJTËN E PËRFITIMIT TË BURSËS, KUR:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për
arsye të rezultateve jokaluese.
/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/





