Zgjidhja e kaosit politik në Westminister ka ndikuar për mirë edhe në tregjet ndërkombëtare. Bursa e Londrës njoftoi këtë të hënë se lajmi që Rishi Sunak mund të jetë në krye të qeverisë, ndikoi që paundi anglez të vlerësohej mirë kundrejt dollarit dhe euros.
Politika dhe ekonomia janë të lidhura ngushtë me njëra – tjetrën. Dorëheqja nga gara e Boris Johnsonit për kreun e ekzekutivit është pritur mirë në tregjet ndërkombëtare, çka ka sjellë edhe rritje të vlerës së monedhës angleze.
Kaosi në Westminister kishte ndikuar që monedha të luhatej përballë dollarit dhe euros, ndërsa inflacioni në vend ka kapur shifra rekord.
Analistët financiarë thonë se tregjet kërkojnë stabilitet politik, dhe zgjidhja e krizës në Westminister, ku tani kemi Rishi Sunakun për kryeministër, ndikoi që stërlina të përmirësohet.
Çështja e parë me të cilën do të përballet kryeministri i ri, është dosja e fundit që la mbi tryezë Liz Truss – Ekonomia.
Inflacioni, lufta në Ukrainë dhe pandemia kanë ndikuar që anglezët të kërkojnë masa më të forta për të përballuar krizën energjitike dhe atë të çmimeve të ushqimeve.
Më herët, për shkak të politikave fiskale të qeverisë Truss, paundi britanik filloi të kishte luhatje të forta derisa u detyrua Banka Qendrore Britanike për ta stabilizuar.





