Në Kampusin Universitar të Spitallës, të mërkurën më 21 nëntor u organizua një leksion i hapur për të njohur studentët e “Aleksandër Moisiu”-t me Programin Global UGRAD. Programi në fjalë financohet nga Departamentit i Shtetit dhe jep bursa për studentë të nivelit universitar në 55 vende të botës. Studentët caktohen në kolegje dhe universitete në të gjithë Amerikën, ku marrin pjesë në një semestër të nivelit parauniversitar pa diplomë.
Bursa mbulon udhëtimin, shkollimin, dhomën, siguracionin për aksidente/sëmundje, një pagesë të vogël mujore, dhe shpenzime për libra. Pjesëmarrësit jetojnë në konvikt me bashkëmoshatarët e tyre amerikanë ose në banesa me familje amerikane.
Global UGRAD është një program shkëmbimi i konceptuar për t’i ekspozuar studentët ndaj sistemit arsimor, shoqëror dhe kulturor amerikan. Të gjithë studentëve u kërkohet të marrin pjesë vullnetarisht në aktivitetet e shërbimit komunitar, si dhe të marrin pjesë në aktivitete të zhvillimit profesional. Studentët largohen nga Amerika me idenë për t’u bërë udhëheqës në profesionet dhe komunitetet ku jetojnë.
Studentët që kanë mbaruar programin Global UGRAD mund të aplikojnë për programin Fulbright, të përfitojnë specializime të rëndësishme ndërkombëtare, dhe të punojnë në biznese ose administratë në vendet e tyre. Finalistët përzgjidhen në bazë të rezultateve akademike, aftësive drejtuese, etj. Global UGRAD është i hapur për të gjitha fushat e studimit.
Për më shumë informacion klikoni në websiten zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë: https://al.usembassy.gov/.





