Tiranë, 2 korrik 2014 – Gazeta “Panorama” zbardh korrespondencën mes Ministrisë së Jashtme dhe Ambasadoreve dhe shkruan se Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, përjashton tre ambasadorë nga Konferenca e Përvitshme e Ambasadorëve që mbahet në Tiranë. 

Në takimin që do të zhvillohet në datat 4-7 korrik janë ftuar të gjithë diplomatët që përfaqësojnë vendin tonë në ambasadat e vendeve të Europës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine. Por në mënyrë të papritur tre diplomatëve, ambasadorit tonë në Itali Neritan Ceka, ambasadorit në Angli Mal Berisha dhe ambasadorit në Bosnjë-Hercegovinë Flamur Gashi u është kërkuar që të mos jenë të pranishëm. 
 
Më 10 qershor, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, u ka dërguar një letër të gjithë ambasadorëve të vendit tonë ku i njofton që për katër ditë në javën e parë të korrikut do të zhvillohet Konferenca e Ambasadorëve. Në këtë letër ai kërkon marrjen e masave nga diplomatët që të jenë të pranishëm në Tiranë. 

“Ju njoftojmë se, Ministria e Punëve të Jashtme është në fazën e përgatitjes së Konferencës së Ambasadorëve, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datat 4-7 korrik. Për sa më lart, lutem marrjen e masave për ndjekjen e konferencës gjatë datave të sipërpërmendura”, thuhet në letrën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, drejtuar ambasadorëve".

/gazeta "Panorama"/