7 janar 2014 – I ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare”, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka folur për punën e Ministrisë së Jashtme në 100 ditët e para të qeverisjes Rama, për programin që ka kjo ministri për të përmirësuar imazhin e vendit tonë në Europë dhe në botë, për çështjen ndoshta më të rëndësishme tani për tani për Shqipërinë dhe shqiptarët, marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, etj.

Intervista e plotë

Cilat janë prioritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme për 2014-ën?

Prioritetet e MPJ reflektojnë prioritetet e qeverisë shqiptare për sa i përket politikës së jashtme. Duke ju referuar edhe 100 ditëshit që sapo kaluam një prioritet i madh ka qënë ripozicionimi i Shqipërisë në Rajon, në Europë dhe në Botë. Një prioritet tjetër ka qënë hapja e shërbimit të jashtëm dhe prioriteti i tretë është diplomacia ekonomike.

Racionalizimi i diplomacisë, çfarë do të thotë?

Racionalizimi i diplomacisë do të thotë një prezencë më e balancuar dhe në përputhje me fuqitë dhe mundësitë që ka Shqipëria, sin ë aspektin politik dhe në atë ekonomik dhe buxhetor. Duhet të kemi paraysh që ky përfaqësim duhet të jetë dinjitoz.

Do të ketë mbyllje të ambasadave, shkrirje ose bashkim?

Lajmet në lidhje me mbylljen e X ambasade janë spekulative. Do të ketë ambasada që do të mbyllen por kjo nuk do të vijë në mënyrë të shpejtë dhe arbitrare,dhe pa u shoqëruar me një studim.

Do të ndodhë këtë vit?

Po, është pjesë e reformës sonë për këtë vit. Në rast se do tu referohemi letrave kemi vendime të këshillit të Ministrave të qeverisë Berisha, ku supozohet të kemi ambasada në Norvegji, Estoni, Pakistan, Afrikën e Jugut, etj. Këto ambasada nuk ekzistojnë. Kanë dalë vendimet e Këshillit të Ministrave, janë njoftuar këto shtete për hapjen e ambasadave nga ana e Shqipërisë, por ato nuk janë hapur kurrë.

Keni deklaruar se ambasadat kanë shërbyer si konvikte strehimi. Keni raste konkrete dhe nëse po do të ngrini kallëzim penal?

Padyshim që ka raste konkrete dhe në shumicën e tyre është bërë korigjimi i nevojshëm. Kur flasim për konvikte flasim për njerëz të cilët nuk kanë lidhje fare me shërbimin e jashtëm por që ata vetë ose të afërmit e tyre kanë patur një status të lartë politik. Këta janë njerëz të lidhur me poltikanë të caktuar emrat e të cilëve media i ka bërë publike.

Do të ketë kallëzim në Prokurori nga Ministria juaj?

Në rast se konstatohen raste ku ka vepër penale, absolutisht që do të ndiqet.

Në lidhje me politizimin në diplomaci, si është gjëndja aktualisht dhe cili është synimi juaj?

Në rast se ju referohemi nivelit të ambasadorëve kemi një situate 50 me 50, ndërkohë që pjesa tjetër e shërbimit ka specifika të ndryshme. Shqipëria është një vend i vogël me burime njerëzore të kufizuara, me njerëz të talentuar në fusha të ndryshme. Jemi të angazhuar për të bërë një reforëm më tërësore, kemi siguruar mbështetjen e një partneri, për të na dhënë një qasje më të drejtë metodologjike. Në Shkurt ne do të kemi fillimet e para në këtë proçes.

Po me Kosovën do të bëjmë ne bashkim ambasadash?

Ne me Kosovën do të ulemi për të jetësuar partneritetin strategjik, përmes një bashkëqeverisje strategjike. Besoj se do të kemi një përqasje hap pas hapi.

Do shfrytëzojmë një godinë për dy ambasada?

Është ende herët për të diskutuar një gjë të tillë. Duhet të jetë e vështirë për tu realizuar në planin praktik.

Ç`farë vendime do të merren në mbledhjen e 11 Janarit mes dy qeverive?

Në mbledhjen e 11 Janarit do të nënshkruhet deklrata e partneritetit strategjik mes dy kryeminstrave, ndërkohë që do të diskutohet për çështjet e integrimit ekonomik dhe për një qasje sa më të rakorduar për sa i përket  situatës në Preshevë.

Sa janë borxhet që ka trashëguar ministria juaj nga qeveria e mëparshme?

Ka disa situata të papëlqyeshme. Ka të bëjë me mospagesën e kuatizacioneve në organizatat ndërkombëtare, vështirësi në mosfunksionimin e ambasadave.