TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka paraqitur sot përpara grupit parlamentar socialist, vendimin e BE-së për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. 

Sipas deputetit Bushati, BE-ja deklaron se ka pasur vetëm arritje në 4 fusha për të cilat opozita ka dhënë kontributin e saj. 

“Komisioni ka theksuar se Shqipëria ka bërë arritje në ato fusha ku roli i opozitës ka qenë vendimtar siç janë reforma zgjedhore, procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, përmirësimi rrënjësor i ligjeve të mbetura me shumicë të cilësuar dhe kontributi ynë për postet vakante për Gjykatën e Lartë” tha Bushati. 
më tej Bushati theksoi se për herë të parë BE tërhoqi vëmendjen mbi deklaratat e bëra mbi nacionalizmin. 

“Kryeministri është i paaftë që të ofrojë reforma të qëndrueshme, që kanë të bëjnë me transformimin e vendit. Në vend që të fokusohet tek reformat e detyrat e shtëpisë është i përqëndruar ose në retorikën ndaj opozitës, ose kartën e nacionalizmit që po shfaqet nga goja e tij në trajtën më primitive të mundshme”, shtoi më tej, Bushati.