TIRANE, 27 mars 2013– Kryetarja e KKRT-së Endira Bushati ka paraqitur sot në Komisionin e medias raportin vjetor të institucionit që ajo drejton. 

Sipas saj, në vitin 2012 nga boshllëku ligjor ka krijuar vështirësi për KKRT, ndërsa ka theksur se është rritur numri i gjobave për pirateri, por ende siaps saj ky problem përbën shqetësim. Raporti vëren ndër të tjera, se në disa media mungon infrastruktura teknike. 

“Kemi monitoruar kohën e politikanëve në media. Problem janë reklamat e tërthorta, disa TV kanë shkelje”, tha ajo ndërsa shtoi se, “Janë njoftuar për kalimin në transmetimet numerike, por vijon transmetimi numerik i operatorëve të palicencuar”. 

Bushati nënvizoi se është 62 mln lekë vlera e të ardhurave për KKRT-në. 

Deputeti i majtë në këtë komision, Alfred Dalipi është shprehur se KKRT si autoritet vjen duke u ulur. “Vendimmarrja juaj për gjoba është selektive dhe e njëanshme”, i është drejtuar ky i fundit kryetares Bushat. 

Ndërsa deputetja Leskaj është shprehur se KKRT ka dështuar në bashkëpunimin me organet tatimore. Sipas Bushatit “Bashkëpunimi me tatimet nuk ka funksionuar, pothuajse fare” 

Bushati ndër të tjera ka theksuar se, “Shumica e gjobave të vendosura s’janë ekzekutuar ende”. 

Sa për monitorimet ajo shprehet se, “Nuk monitorojmë dot 250 subjekte në të gjithë vendin”. 

Pyetjes së kryetares së komisionit Leskaj, se a ka shkelje te etikës nga operatorët për rastin e pedofilisë, Bushati përgjigjet se, ”Pedofilia përbën shkelje etike të ligjit dhe shkelje të privatësisë”. 

Përfaqësuesi Agim Leka ka deklaruar se në bazë të këtij raportimi vërehet se KKRT është inekzistente. 

“KKRT nuk është e pavarur dhe nuk ka zbatuar ligjin”, thotë ai.