Pas bllokimit të lëvizjes në pikën kufitare të Kakavijës, ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati ka mbërritur në pikën kufitare të Kakavijës, ku është takuar me dhjetëra qytetarë që qëndrojnë aty prej mbrëmjes së djeshme.
"Autoritetet greke do bëjnë komunikim publik përsa i përket sistemit. Nuk kemi arsye të besojmë se është një çështje e qëllimshme, i mirëkuptoj ata që duan të kalojnë kufirin por nuk bëj avokatinë e askujt. Por nga ana tjetër ka edhe forca madhore. Përsa kohë autoritetet greke thonë ka rënë sistemi, duhet të kemi durimin dhe të presim", u ka thënë Bushati qytetarëve.
Ndërkohë qytetarët i janë drejtuar ministrit Bushati me tone të forta duke i thënë se policët grekë u kanë thënë: "Largoni Ramën se prishi shtëpitë në Himarë".
"Largoni Ramën se prishi shtëpitë në Himarë, unë nuk jam projektuesi", është shprehur një qytetar. Gjithashtu qytetarët kanë ngritur pretendime se disa automjete e kanë kaluar kufirin edhe pse sistemi i palës greke ka rënë.
I pranishëm së bashku me ministrin Bushati ka qenë edhe ministrja Kumbaro. Bushati dhe Kumbaro i janë drejtuar edhe sportelit për të ndjekur nga afër situatën. Ata u kanë shpjeguar qytetarëve së sapo të zgjidhet problemi me sistemin në palën greke, do të vijojë sërish normalisht puna. Sipas Bushatit, duhet që të tregohemi të duruar dhe të presim sa të rregullohet problemi.





