Analisti Andi Bushati ka akuzuar SPAK për përdorimin e propagandës për të denigruar figurën e Erion Veliajt. Gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit”, Bushati u shpreh se përgjimet e Veliajt janë përdorur për të krijuar një imazh negativ të tij, pa ofruar prova të mjaftueshme që ta inkriminojnë.

Bushati tha se përgjimet, të cilat ishin shpërndarë më parë, nuk kishin sjellë asnjë informacion të ri dhe se SPAK-u kishte krijuar një “tullumbace” mediatike për të bërë një gjyq publik. Ai tha gjithashtu se aludimet seksuale për gruan e Veliajt, që ishin përfshirë në përgjime, nuk shërbejnë për hetimin, por thjesht për të denigruar personin.

Në përgjigje të pyetjes nga Ylli Rakipi nëse SPAK-u mund të përdorë median për të ndikuar në perceptimin publik, Bushati e pranoi në disa raste, por theksoi se kjo është e dëmshme kur bëhet sistematikisht dhe kur nuk ka prova të forta. Ai u shpreh se, kur prokuroria përdor strategji të tilla, provave u mungon fuqia shkencore.