Gazeta Business Insider ka publikuar një artikull ku ka radhitur disa prej arsyeve se pse të huajt duhet të vizitojnë Shqipërinë dhe të zgjedhin pikërisht këtë sezon, që është periudha më e mirë e vitit.
“E rrethuar nga pamje fantastike të maleve dhe detit të kaltër, Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë një mrekulli, që nuk është kthyer ende në një vend referencë për turistët”, shkruan Business Insider.
Më tej në artikull shkruhet se shqiptarët njihen për mikëpritjen e tyre dhe prirjen për të trokitur herë pas here gotat e rakisë së bërë vetë. Ditët e diktaturës komuniste janë një kujtim i largët për të gjithë dhe Shqipëria është drejt një të ardhme të ndritur..
Artikulli e cilëson Beratin si xhevahirin në kurorën e Shqipërisë. “Pushtimet e vazhdueshme të Beratit e kanë lënë vendin me një miks të arkitekturës. Turqit sollën influencën e tyre dhe të njejtën gjë bënë edhe komunistët. Një shkrirje interesante e stileve që është e këndshme si për syrin edhe për kamerën”, shkruhet në artikull.
Akomodimi është i mundshëm për 10 dollarë/nata. Parku kombëtar i Valbonës ofron alpinizëm dhe kamping fantastik. Akomodimi nis nga 20 dollarë për natë. “Shqipëria po bëhet një pikëz e vogël në hartë për turistët nga gjithë bota.
Rrugë dhe hotele të reja janë duke u ndërtuar dhe vendi po planifikon ndërtimin e një aeroporti të dytë në Kukës”, shkruan Business Insider. “Liqeni i Komanit ofron një pamje fantastike të “Bjeshkëve të Namuna”, shkruan artikulli dhe e krahason me fjordet e Norvegjisë.
Qyteti i vogël i Himarës ofron ushqimet më të freskëta të detit, ndërsa Jalën, artikulli e cilëson si “Ibiza e Shqipërisë”. Ndërsa për Tiranën, Business Insider shkruan se është ndoshta qyteti më unik i Europës.





