Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se me buxhetin e vitit të ardhshëm investojmë 20% më shumë për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.
Duke theksuar se ky buxhet është 43.3% më i lartë se i 5 viteve më parë, Manastirliu tha se buxheti 2019 garanton jo vetëm financimin e shërbimeve në sistem, por mbështet transformimin në vazhdim të sistemit, duke vendosur pacientin në qendër.
“Për 2019-n investojmë 3 miliardë e 150 milionë lek, ose 20% më shumë krahasuar me vitin 2018. Vetëm në QSUT po investojmë 30 milion euro për ndërtimin e Spitalit të ri Kirurgjikal, Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendëshme dhe Spitalin Pediatrik”, u shpreh Manastirliu.
“Me buxhetin e vitit 2019 vijojmë me investime të rëndësishme nga veriu në jug nga Spitali i Kukësit, tek investimi në Spitalin Pediatrik Durrës, përfundojmë investimin në Spitalin e urgjencës dhe patologjisë në Elbasan. Gjithashtu ne planifikojmë të nisim investimet në maternitetet e Lezhës, Beratit, Pogradecit, Matit dhe Kukësit”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Sa i takon programeve të Mbrojtjes Sociale, Manastirliu foli për politikën e re sociale të bonusit të bebeve, që me buxhetin e vitit 2019 mbështet direkt 30 mijë familje që do të gëzohen me lindjen e një fëmije.





