Ndryshe nga herët e shkuara, deputetët opozitarë këtë të hënë nuk hodhën një, por disa tymuese në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Një prej tyre madje mori edhe flakë, të cilat fatmirësisht u shuan shpejt.

Seanca e sotme, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë për shkak se do të votohej buxheti për vitin 2024, zgjati rreth 5 minuta.

Kryeparlamentarja Nikolla u përpoq ta kthente seancën në normalitet duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës.

“Kolegë deputetë, qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre , pse nuk doni të flasim për rritjen e  pagave… ju bëj thirrje të vijojmë me diskutimet për buxhetin siç qytetarët e meritojnë. Qytetarët duan të dëgjojnë, ju ç’keni pse doni të heshtni sot, pse nuk doni të diskutoni”, tha ajo mes të tjerash.

Por apeli i saj ishte i kotë dhe në këtë pikë, Nikolla kaloi për votim në parim projektligjet e parashikuara që kaluan me votat e mazhorancës.

Me 83 vota pro u votua në parim edhe buxheti i vitit 2024.

I pranishëm në sallë ishte edhe kryeministri Edi Rama.