Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të njohin rritje edhe këtë vit. Në ditën e gruas, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, solli në vëmendje shtesën e parashikuar për rreth 18 mijë punonjës shëndetësie, e cila pritet të zyrtarizohet në muajin korrik të këtij viti.

Ndërsa nuk kurseu mbështetjen për bluzat e bardha, Manastirliu tha se do vihet dorë edhe mbi kushtet e punës për të bërë të mundur përmirësimin e tyre.

“Ne do të vijojmë të përmirësojmë kushtet e punës në qendrat tona shëndetësore, në spitalet tona, që ju ta kryeni më mirë profesionin tuaj. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe në vitin 2018 për personelin mjekë dhe infermierë. Angazhimi ynë është i përditshëm në këtë drejtim dhe për një arsye tjetër, sepse ju jeni shembuj frymëzimi jo vetëm sepse keni lartësuar pozitat e grave në shoqërinë shqiptare, por sepse ia dilni që çdo ditë të shpëtoni jetë dhe ky është më i larti i misioneve”, tha Manastirliu.

Me buxhetin e këtij viti, rritja e pagave për mjekët dhe infermierët është parashikuar të jetë 5%.

BONUSI

Këtë vit Qeveria vendosi të dyfishojë edhe bonusin për mjekët, që do të pranonin të punonin jashtë qendrës së banimit. Shtesa 1 milion lekë të vjetër në muaj veç pagës, që u prezantua tre vite më parë, nuk i bindi bluzat e bardha për të lidhur kontratë në spitalet rajonale. E zënë ngushtë dhe në kushtet kur kriza për mjekë specialistë në rrethe sa vjen e bëhet më prezente dhe në tjetrën largimet drejt Gjermanisë s’kanë të ndalur, u pa e udhës që të bëhej rritja e bonusit. Rreth 2.5 milionë lekë të vjetër pagë do të kenë në dispozicion ata mjekë, që do të vetëofrohen për të punuar larg zonës së banimit. Por kjo ofertë sërish nuk i ka tunduar mjekët.

Mësohet se deri më tani janë nënshkruar vetëm 2 kontrata. Në këto kushte, shpresat janë varur te specializantët.

“Një ditë më parë takova brezin e parë të specializantëve, që pritet të diplomohen në vitin 2019, shumica prej tyre vajza, gra, që kanë vendosur të shërbejnë në spitalet ku ka nevojë për mjekë të specializuar. Disa prej tyre punojnë edhe në sektorin privat aktualisht, por kur i pyeta nëse do të duan të punojnë në spitalet rajonale në përfundim të specialiteteve, nuk kishin dyshime që do bënin këtë zgjedhje. Kjo është sa frymë- zuese aq edhe shpresëdhënëse për shëndetësinë që duam të ndërtojmë së bashku”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /PANORAMA/