Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se përmes buxhetit të shtetit për vitin 2023 do të mbështeten direkt mbi 1.2 milionë familje, përfshirë pensionistët, ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, qytetarët me paga minimale, arsimtarët, mjekët, ushtarakët, zjarrfikësit, 30 mijë fermerë si dhe 1 mijë familje të reja për të blerë apartamentet e tyre.
“Ky projektbuxhet parashikon rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për efektet sociale që ka sjellë kriza. Janë 15 miliardë lekë të alokuara. Ndërkohë për shkak të pasigurive ne kemi përcaktuar në pr/buxhet një fond të konsiderueshëm që na lejon që nëse situata përkeqësohet t’u vijmë në ndihmë qytetarëve”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se falë angazhimit të ndërmarrë për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë Shqipëria renditet ndër vendet me inflacionin më të ulët në rajon. Sipas saj, çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar në asnjë segment të popullatës dhe për 99 % të biznesit çmimi i energjisë është i subvencionuar nga qeveria.
“Çmimet e energjisë elektrike dhe karburanteve në të gjitha vendet e rajonit dhe Evropës janë dyfishuar. Në vendin tonë nuk kanë ndryshuar. Në peshën e shportës së familjes shqiptare produkti më i rëndësishëm është energjia. Nëse ne nuk do të mbronin familjet shqiptare dhe biznesin, inflacioni do të ishte 5-fishuar. Pikërisht subvencionimi i çmimit të energjisë bëri që kosto e prodhimit shqiptar të mos rritet, kur janë rritur në të gjitha vendet e Evropës. Kjo pasi këtë barrë e ka mbajtur buxheti i shtetit”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj shtoi se pas dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë, recesioni i ekonomisë shqiptare parashikohej të ishte 8.5 %. “Por në fakt ekonomia shqiptare ra me vetëm 3.5 %, falë politikave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe falë rezistencës së biznesit, duke e çuar përsëri në territor pozitiv ekonominë shqiptare që në 3-mujorin e katërt të 2020-ës”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj ju përgjigj edhe akuzave të opozitës kur tha se kjo nuk ndodh në një vend me ekonomi të shkatërruar dhe të varur nga oligarkia.
“Akuzat e opozitës për ekonomi të shkatërruar dhe të varur nga oligarkët janë të pavërteta. Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe këtë e ka treguar përballimi i dy krizave. Në 6-mujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike shkoi në 4.2 % dhe e tillë pritet të jetë edhe në 3-mujorin e tretë, falë turizmit. Shqipëria njohu gjatë kësaj periudhe një fluks të lartë turistësh të huaj, që përkthehet në të ardhura për familjet, biznesin dhe në mirëqenie për popullatën. Ne ndër vite kemi adoptuar një politikë që nxit zhvillimin ekonomik dhe turizmin. Është një politikë që ka dhënë rezultate. Ne do tu qëndrojmë fort stimujve fiskalë në turizëm dhe sektorë të tjerë që kanë sjellë rritje ekonomike”, deklaroi ministrja.