Fondet për kulturën mund të jenë thembra e Akilit mes mazhorancën dhe opozitës, në një kohë që priten propozime konkrete pas tryezave të iniciuara nga Kryetari i Këshillit Bashkiak. Pas prezantimit të draft buxhetit do nisë diskutimi i tij në komisione

Në harkun kohor të tri ditëve pritet që të nisë diskutimi i draftit të projekt-buxhetit të Bashkisë për vitin 2012. Burime nga Këshilli Bashkiak i Durrësit kanë bërë të ditur për gazetën “Dyrrah” se diskutimi i këtij projekt buxheti do të bëhet sa më shpejt në komisione dhe më pas në Këshillin Bashkiak, për ta vënë këtë buxhet sa më shpejt në shërbim të qytetarëve. Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, “vonesa 4 mujore e buxhetit nga ana e administratës së Bashkisë së Durrësit, pritet që të kompensohet në një farë mënyre me vullnetin për ta miratuar sa më shpejt këtë buxhet, natyrisht pasi të bëhet transparenca e duhur dhe të jenë marrë parasysh sugjerimet e grupeve të interesit dhe qytetarëve durrsakë në tryezat e iniciuara nga ky Këshill”. Pa nisur akoma diskutimet në komisione, kanë ardhur reagimet e para në lidhje me këtë projekt buxhet nga ana e këshilltarëve të PD-së. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Zamir Ramadani, ka deklaruar se: “Që në vështrimin e parë sipërfaqësor të projektit të draft buxhetit të Bashkisë së Durrësit, vihen re probleme të cilat stonojnë me transparencën dhe bazueshmërinë ligjore në çështje të caktuara.

Mjafton që të përmendim njërën prej tyre që ka të bëjë me fondet për kulturën. Administrata e Bashkisë, në mënyrë jo ligjore, ka bërë ndarjen e fondeve për kulturën duke anashkaluar këshillin kulturor. Them se kjo është një pikë e patolerueshme nga ana jonë”. Ramadani tha se Bashkia po tenton të anashkalojë formimin e këshillit kulturor, duke kërkuar t´i bëjë fakt shpërndarjet e fondeve për aktivitete të caktuara kulturore. Ndërkohë, në lidhje me këtë pikë të nxehtë të buxhetit ka reaguar për gazetën “Dyrrah” dhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Adrian Çela, i cili ka deklaruar se,- “Në kushtet e mosfunksionimit apo bllokimit të këshillit kulturor, administrata e Bashkisë për të ruajtur traditën e disa aktiviteteve të suksesshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si “Festivali ndërkombëtar i filmit”,”Festivali ndërkombëtar i kërcimit modern, “Maratona e këngës popullore”etj vendosi t´i prezantojë të shprehura dhe në vlera financiare këto aktivitete. Kjo dhe për faktin se nga ana e Këshillit Bashkiak, nuk ka pasur ankesa për aktivitetet konkretisht”. Në mbledhjet e komisioneve dhe në Këshillin Bashkaik pritet që të diskutohen dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me opinionet, idetë dhe sugjerimet që kanë bërë grupet e interesit në lidhje me prioritetet që duhet të ketë buxheti i Bashkisë së Durrësit.

Kujtojmë se në tryezën mjedisore të organizuar nga Këshilli Bashkiak dhe Zyra për Transparencën Qytetare, me iniciativën e kryetarit të këtij këshilli Indrit Hamiti, u hodhën ide interesante mbi mundësinë e ngritjes së një landfilli në Durrës, mbi çështjen e grumbullimit, riciklimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane, krijimi i një zyre pranë Këshillit që të monitorojë dhe studiojë hartën e rrezikut gjeologjik në një nga qytetet me probleme të kësaj natyre si Durrësi, aplikacionet e karburanteve alternative në transportin urban etj. Po si rrjedhojë e këtyre propozimeve pritet që të kërkohet një rritje e buxhetit të arsimit nga 6% në 8 %. Në lidhje me këtë çështje disa ditë më parë u zhvillua një tryezë me drejtues të arsimit në Durrës. Pas një qetësie totale në ditët e prezantimit të draftit mund të parashikohet një rritje e temperaturave politike në Këshillin Bashkiak.


 

Indrit Hamiti

Vonesa 4-mujore e buxhetit nga ana e administratës së Bashkisë së Durrësit, pritet që të kompensohet në një farë mënyre me një vullnet për ta miratuar sa më shpejt këtë buxhet, natyrisht pasi të bëhet transparenca e duhur dhe të jenë marrë parasysh sugjerimet e grupeve të interesit, specialistëve dhe qytetarëve durrsakë. Në lidhje me këtë  çështje këshilli disa ditë më parë u zhvilloi një tryezë me drejtues të arsimit në Durrës dhe si rrjedhojë e propozimeve pritet që të kërkohet një rritje e buxhetit të arsimit nga 6% në 8 %.


 

Zamir Ramadani

Që në vështrimin e parë sipërfaqësor të projektit të draft buxhetit të Bashkisë së Durrësit shikon se ka probleme serioze të cilat stonojnë me transparencën dhe bazueshmërinë ligjore, në çështje të caktuara. Mjafton që të përmendim njërën prej tyre që ka të bëjë me fondet për kulturën. Ndonëse është bërë një debat i madh në lidhje me transparencën e këshillit kulturor dhe gjetjen e rrugëve të mirëkuptimit për ndërtimin e këshillit të ri, administrata e Bashkisë, në mënyrë jo ligjore, ka bërë ndarjen e fondeve për kulturën duke anashkaluar  këshillin.


 

Adrian Çela

Në kushtet e mosfunksionimit apo bllokimit të këshillit kulturor, administrata e Bashkisë për të ruajtur traditën e disa aktiviteteve të suksesshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si “Festivali ndërkombëtar i filmit”, “Festivali ndërkombëtar i kërcimit modern, “Maratona e këngës popullore” etj, vendosi t´i prezantojë këto aktivitete të shprehura në mënyrë transparente dhe në vlera financiare. Kjo dhe për faktin se nga ana e këshilltarëve të djathtë nuk ka pasur ankesa për aktivitetet konkretisht, por vetëm për Këshillin Kulturor.