Kuvendi miratoi një ditë më parë projektbuxhetin 2021, ku “pjesa e luanit” shkon për shëndetësinë me fokus rritjen e pagave të mjekëve dhe rimbursimin e medikamenteve për Covid për qytetarët.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nuk është shumë optimiste marrë shkas nga fakti që sipas saj qeveria nuk u ka dhënë ende bluzave të bardha në vijën e parë të luftës me Covid bonusin e premtuar.

“Duhet të shohim tabelat që do tu shpërndahen ministrive përkatëse. Nëse e kanë sinqerisht buxhetin për rritjen e pagave të mjekëve do ta përgëzoja por derisa qeveria nuk ka bërë ende shpërblimin e famshëm për mjekë e infermierë si mund të jetë ky impakt në buxhetin 2021. Qeveria shqiptare nuk ka shpallur prej dy vitesh konkursin e infermierëve, të hapë konkursin e licencimit të infermierëve. Të sëmurët me Covid paguajnë 70 mijë lekë shërbimin e një infermieri. Nuk mendoj që politikat e tij për shëndetësi falas, paga infermierësh dhe rimbursim medikamentesh janë reale.”

Sa i takon zgjedhjeve, Kryemadhi tha se objektivi i përbashkët i opozitës së bashkuar është rrëzimi i sektit të rilindjes dhe vendosja e një normaliteti ekonomik dhe shoqëror. Ajo theksoi se shumë socialistë po i bashkohen  LSI.

“Është e vërtetë se shumë socialistë po i bashkohen LSI, është natyrale. Nuk është më çështje ideologjish në qeverisje por mbijetese sa i përket kësaj situate kaosi. Nuk ka të bëjë me qeveri e majtë dhe e djathtë. Politikat që po bën sot Rilindja janë më të djathtat ekstreme të bëra ndonjëherë në Shqipëri. Politikat e koncesionit të Rilindjes janë ekstrem të djathta. Sigurisht që ka prurje jashtëzakonisht të mëdha në LSI, ndihen të lirë dhe vetëvetja në LSI. LSI është parti e majtë. Opozitën e bashkuar nuk e kanë bashkuar ideologjitë por qëllimi i vetëm për çlirimin e gjithë shoqërisë shqiptare nga marrja peng e një grupi njerëzish që e kanë kthyer në një grup interesash.”

Ajo nënvizoi se asnjë taktikë elektorale nuk shpëton Rilindjen dhe Edi Ramën me 25 prill. Deklaratat Kryemadhi i bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ku njoftoi se me 21 nëntor LSI do të ketë zgjedhje në parti ndërsa me 5 dhjetor do të mbahet Konventa Kombëtare e LSI.

“Kemi krijuar aplikacionin per votimin online per delegatet. Zgjedhjet brenda LSI synojnë krijim hapesirash te rinjve dhe grave per perfshirje. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për përfshirjen e të gjithë intelektualëve në Shqipëri, e dimë që janë të mërzitur dhe të zhgënjyer me politikën por i vetmi ilaç është përfshirja në politikë për ta detyruar klasën politike të jenë në shërbim të qytetarëve. Viti 2021 ka nevojë për politikë të re, figura të reja.”