Debatet në Këshillin Bashkiak ishin të pakta në raport me pritshmëritë e biznesit dhe të qytetarëve durrsakë, që duan të dinë se ku shkojnë paratë e taksave që i paguajnë bashkisë së qytetit çdo vit. Demokratët ngritën si problem mungesën e investimeve në zonat rurale, në bujqësi, në infrastrukturë dhe mosrealizimin e buxhetit faktik të planifikuar nga bashkia. Armand Teliti tha se bashkia e Durrësit nuk mund të gjejë justifikime, për mosrealizimin e buxhetit dhe në mbledhjen e të ardhurave.

Kryebashkiaku Vangjush Dako, nënvizoi se  bashkisë së Durrësit i janë shtuar shumë funksione të deleguara. “Ne kemi marrë 350 punonjës të cilët paguhen nga bashkia e Durrësit. Kjo ka bërë që të shtohen shpenzimet koherente e të bien investimet.1.2 milionë dollarë shkojnë për investime në rrjetin kullues, 500 milionë në infrastrukturë, në ish-njësitë vendore që i janë bashkuar Durrësit të madh”, deklaroi Dako.

Debatet u zhvilluan për tarifën e plazheve private, taksat e shtuara për banorët e fshatrave, uljen e investimeve, uljen e buxhetit në raport me rritjen e popullsisë etj. Buxheti i Bashkisë së Durrësit, që për këtë vit është 2,21 miliardë lekë, krijohet nga dy burime: të ardhurat vendore dhe fondet e alokuara nga qeveria. Për këtë vit, këto të fundit, në formë të pakushtëzuar dhe të kushtëzuar, janë pak më shumë se 850 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat vendore janë parashikuar të jenë afro 1,35 miliardë lekë.

K.H.