Nën drejtimit e trajnerit Spalletti, të kaltërit kanë kryer seancën e parë stërvitore në Iserlohn, ku edhe do të qëndrojnë gjatë gjithë kompeticionit.

Seanca ka qenë e hapur dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm italianësh, të cilët në fund kanë bashkëbiseduar edhe me trajnerin Spalletti.

Por kur kanë mbetur edhe katër ditë nga përballja me Shqipërinë e Sylvinhos, Spalletti nuk mund të qëndrojë plotësisht i qetë, pasi mesfusha është reparti që ia prish jo pak gjumin.

Nicolo Barella është prej ditësh i dëmtuar dhe pavarësisht optimizmit të mjekëve, duket e vështirë që t’ia dalë të luajë ndaj kuqezinjve mbrëmjen e të shtunës në Dortmund.

Ndërkohë, në seancën e të martës në Iserlohn, nuk janë stërvitur me skuadrën as Nicolo Fagioli i Juventusit dhe Davide Frattesi i Interit.

Të dy kanë shfaqur probleme fizike, pro nëse për Frattesin nuk duket asgjë shqetësuese, krejt ndryshe është situata e Fagiolit.

Ky i fundit vjen pas një pezullimi të gjatë disa mujor dhe nuk ka ritmin e ndeshjeve, ndaj dëmtimi mund t’i ndikojë jo pak në formën fizike dhe gjasat që të luajë ndaj Shqipërisë, janë pakësuar ndjeshëm edhe për të.