Deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi ka reaguar për rritje e çmimeve në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Bylykbashi shkruan se “çmimi i lartë i jetës me halle sapo është bërë edhe më i lartë”.
Ndërkohë tregon edhe bisedën me një demokrate, e cila i ka shprehur shqetësimin se çfarë po ndodh brenda PD-së dhe kur do të zgjidhet, ndërsa Bylybashi thotë se kjo i kujtoi pyetjet që i kanë bërë pas 25 prillit se “kur do të fitojmë”.
Statusi i plotë i Bylykbashit:
Çmimi i lartë i jetës me halle sapo është bërë edhe më i lartë.
Dje ndalova rastësisht buzë rrugës nacionale për të blerë disa produkte ushqimore shtëpie. Zonja që shiste ato pak produkte bahçeje më tha menjëherë se ishte demokrate me shpirt. Familje e persekutuar me prona që nuk i kishte marrë kurrë e atë pak tokë që jetonte familja, e punonin me mund e djersë. Në pak fjalë, në tonin e zërit dhe vështrimin e saj, kuptoje hallet e vështirësitë e saj por edhe dinjitetin e njerëzve që jetojnë me punë.
Nuk u zgjat shumë tek hallet dhe vështirësitë në ato 10 minuta. Shprehu “zhgënjim” për “humbjen” dhe shqetësimin për çpo ndodh brenda nesh duke pyetur “kur do të zgjidhet”. Më kujtoi biseda të tjera këto kohë me njerëz te thjeshtë që më kanë pyetur me dëshpërim pas 25 prillit: “Kur do të fitojmë?”