Në një dalje për mediat, nënkryetari Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka denoncuar një problematikë në disa qendra votimi në Durrës, ku sipas tij po ushtrohet presion mbi zgjedhësit.

Sipas Bylykbashit, kjo problematikë ka qenë e pritshme dhe PD ka marrë masat të bllokohet.

Bylykbashi: “Drejtues lokalë dhe të institucioneve të tjera shtetërore në bashkinë e Durrësit janë duke marrë pjesë në procesin e votimit duke e penguar procesin e votimit dhe duke ushtruar presion mbi zgjedhësit.

Janë personazhe me background shumë të qartë edhe në të shkuarën për sa i përket presionit që ushtrohet mbi zgjedhësit.

PD nuk do të lejojë për asnjë moment që në qendra votimi të krijohet situatë ku ushtrohet presion që cenon lirinë dhe sekretin e votës. Do të marrim masat siç e parashikon ligji dhe udhëzimet e KQZ-së. Qendrat e votimit duhet të bllokohen kur konstatohen këto momente, të njoftohet policia dhe këta persona të largohen.

Kërkojmë nga policia që të jetë e vëmendshme që t’u përgjigjet të gjitha këtyre momenteve kur drejtues të PS-së, zyrtarë shtetërorë që po ushtrojnë ndikim të paligjshëm mbi zgjedhësit, kërkojnë të intimidojnë votuesit.

Do të përballen jo vetëm me sanksione nga KQZ, por edhe me kallëzime penale çdo individ që sot mendon se mund të ndikojë mbi zgjedhësit.

Raortimet janë të ndryshme, kryesisht në zonat rurale.

Zgjedhësit duhet të votojnë të lirë dhe pa u cenuar sekreti i votës.

Ka një urdhër të KQZ-së i cili ndalon prezencën e çdo personi të pautorizuar në oborret dhe korridoret e ambienteve të votimeve”.