Intervistoi Mila Ballhysa

“Më 25 prill keni mundësi të ndryshoni fatin e qeverisjes në Shqipëri, jo thjesht cila është qeveria, por mënyrën si qeveriset në vendin tonë.”

Kandidati për deputet Oerd Bylykbashi është i bindur se më 25 prill, shqiptarët do të dalin masivisht për të votuar për të rrëzuar qeverinë Rama. Këtë bindje, ai e bazon edhe tek deklaratat e forta që po vijnë nga përtej Adriatikut, siç ishte një ditë më parë, ajo e drejtorit për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj.

Sipas Bylykbashit, presioni që Rama dhe zyrtarët e lartë po ushtrojnë ndaj administratës dhe votuesve janë “dëshmi e nervozizmit të tij se do të jetë jashtë listës fituese në Durrës, por edhe do të humbasë në të gjithë Shqipërinë”.

Zgjedhjet në qarkun e Durrësit u shoqëruan 4 vite më parë me problematika të shumta, akuza për manipulime (dosja 339) etj, por rreziku që ato të përsëriten mbetet ende prezent. Fakti që të treja bashkitë e qarkut Durrës janë me të kuqe në hartën e riskut elektoral, të hartuar nga Instituti i Studimeve Politike, tregojnë sipas Bylykbashit “jo vetëm koncentrimin e krimit të organizuar në këtë qark, por kjo ka ndodhur me lejen e qeverisë, sepse janë drejtuesit politikë në nivel qendror dhe lokal të Partisë Socialiste që bashkëpunojnë me këtë krim”.   

Duke u ndalur tek gjërat që kanë shkuar keq në Durrës në këto 8 vite të qeverisjes Rama, Bylykbashi ndalet tek disa prej tyre që kanë ngjallur një indinjatë të madhe tek qytetarët.

Veliera, rrugët e ngushtuara, përmbytjet e shpeshta të qytetit, trafiku i rënduar dhe ndotja mjedisore e shkaktuar prej investimeve miliona euro në infrastrukturë, që nuk kanë zgjidhur problemet bazike të qytetarëve janë sipas kandidatit për deputet të qarkut Durrës disa nga shqetësimet që elektorati durrsak i ngre në takimet elektorale.  

Por si do të marrin zgjidhje këto problematika pas 25 prillit, si do të qeverisë më mirë Lulzim Basha nëse vjen në pushtet?

Për kandidatin Bylykbashi, dy janë elementët kryesorë që do të garantojnë një qeverisje për qytetarin: qeverisja transparente dhe mirëqeverisja.

“Durrësi është një libër i problemeve që ka gjithë Shqipëria”,- thekson ai për “DurrësLajm”, ndërsa më tej shton se “programi qeverisës i PD i përputhet nga A-ja tek Zh-ja me të gjitha problemet e qytetit bregdetar”.

Ai siguron se shumë shpejt në Durrës do të mbahen zgjedhjet lokale dhe pasi PD t’i fitojë edhe ato, do të nisë konsultimi me publikun për projektet në insfrastrukturë dhe ato që lidhen me zhvillimin e qytetit.

Nëse qytetarët do të propozojnë për ndryshimin e tyre, Bylykbashi thotë se në projektet që tashmë janë realizuar “do të bëhen ndërhyrjet e nevojshme që jeta të rrjedhë në mënyrë normale”.

Kur na ndajnë edhe 24 ditë nga dita e zgjedhjeve, kandidati demokrat është i bindur se koalicioni qeveritar në Durrës do të marrë 8 mandate.

“Durrësi do t’i japë një mësim shumë të fortë Ramës. Ai ka ardhur në këtë qytet si ai që ka bërë një krim dhe rikthehet tek vendi i krimit. Durrësi është viktima, është prova e krimit të qeverisjes së tij në gjithë këto vite. Qytetarët durrsakë do t’i japin një surprizë të jashtëzakonshme një individi që mendon se qeverisja do të thotë arrogancë”,– thotë kandidati Bylykbashi.