Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun Durrës, Oerd Bylykbashi ka qenë paraditen e sotme në zonën e ish-Kënetës për të parë nga afër dëmet që u janë shkaktuar familjeve të përmbytura.
Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi tha se kjo situatë e përsëritur duhet të vërë prokurorinë në punë që të hetojë atë që ai e cilësoi histori e madhe korrupsioni.
“Situata është më shumë se dramatike, kjo është katastrofë. Po kjo nuk është katastrofë natyrore, por është katastrofë e shkaktuar nga njeriu. Nuk është thjesht histori mosmenaxhimi apo keqmenaxhimi, është një histori e madhe korrupsioni. Janë mbi 30 mln euro të hedhura në sistemet e kanalizimeve gjatë këtyre viteve dhe ja ku është rezultati. Brenda një viti kjo zonë është përmbytur 3 herë. Janë mbi 400 familje që presin dëmshpërblimet e dy përmbytjeve të tjera kjo është një histori kriminale, para të cilat hidhen në mënyrë të qëllimshme duke e ditur që Durrësi ka këtë problem kaq të madh. Hidhen vetëm për të kaluar kohën. Edhe hidrovorin e vjetër e kanë transferuar në një zonë tjetër, e cila nga ana tjetër nuk përmbush kushtet teknike, sepse nuk garanton tërheqjen e ujërave në kohë. Dhe ja ku është pasoja. Kanë mbyllur kanalin e ujërave të larta të zonës së kodrës. E ka deklaruar kryetarja e bashkisë që do të mbyllim 2.6 km kanal për ta bërë shëtitore. Praktikisht këtu ka punë për prokurorinë e shtetit. Prokuroria duhet të vijë menjëherë dhe të marrë në përgjegjësi penale të gjithë ata që në këto 25 vite të qeverisjes së bashkisë së Durrësit nga socialistët kanë sjellë këtë situatë.”,– tha ndër të tjera Bylykbashi.





