Anëtari i Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka folur pas takimit të mbajtur me anëtarët e tjerë të Komisionit.

Bylykbashi tha se propozimi i PD-së është që partitë të financohen në masën 66% nga burmet shtetërore dhe 34% nga financuesit privatë, ndërsa është vënë kusht për financuesit e partive, se ata nuk mund të marrin pjesë në tendera publikë për një periudhë të caktuar kohore.

“Kemi propozuar që 66% e financave të partive të jenë nga burimet shtetërore dhe 34% nga financuesit privatë. Një risi në propozimin tonë që ata që kanë marrë para nga shqiptarët me tendera dhe koncesione nuk mund të financojnë, dhe kush financon subjektet politike nuk mund të marrë tendera nga shteti, për të shkëputur kapjen e zgjedhjeve nga oligarkia. Ka edhe masa të tjera që kemi propozuar që pengojnë futjen e parave kriminale. Kjo rrit kontrollin e deklarimeve të partive politike, që shpenzojnë shifra të mëdha me reklamat dhe tallen duke deklaruar shifra të vogla para shqiptarëve. Listat e zgjedhësve manipulohen nga kryetarët e bashkive të partisë socialiste, me urdhrin e kryeministrit, duke transferuar zgjedhësit dhe duke regjistruar zgjedhës nëpër lulishte dhe pallate të papërfunduar, duke bërë transferim turistësh zgjedhorë. Kuptuam që qeveria nuk ka asnjë masë që zgjedhësit të votojnë aty ku banojnë, dhe shqiptarët skanë objekt identifikimi për të votuar. Në 2009 u bë maksimumi duke ulur çmimin, sot nuk është bërë asgjë.”, tha Bylykbashi.