Deputeti i Durrësit Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka ngritur problematikat e procesit të rindërtimit në qytetin bregdetar, duke u ndalur tek bonusi i qirasë, që një pjesë e mirë e qytetarëve nuk e kanë marrë që nga muaji gusht dhe tek ngërçi me procesin e rikonstruksionit dhe riforcimit të pallateve të dëmtuara nga tërmeti.
“Durrsakët po hyjnë në dimrin e tretë pas tërmetit dhe deri ditën e zgjedhjeve, qeveria derdhi lumë paratë për dëmshpërblime dhe bonuset e qirasë, por për 3 muaj nga gushti, deri para pak ditësh, bonuset e qirave nuk u jepeshin qytetarëve që ishin në hall, duke i vendosur në vështirësi edhe përballë qiradhënësve, që kërkojnë paratë që u takojnë me të drejtë”,– tha Bylykbashi.
Ai renditi nga foltorja e Kuvendit shifrat që lidhen me procesin e rindërtimit në Durrës, ku nga 615 pallate me dëme DS1-DS3 vetëm në rreth 400 prej tyre ka përfunduar rikonstruksioni, ndërsa nga 120 pallate me dëme DS4 vetëm në 10 prej tyre ka nisur riforcimi.
“Vetëm në 3 nga pallatet e shembura ka nisur rindërtimi, nga 22 që janë në qytet dhe asnjë prej tyre nuk është dorëzuar”,- tha Bylykbashi.
Duke u ndalur më pas tek tenderi më i fundit për Velierën, veshja e të cilës do të kushtojë rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra, Bylykbashi tha:
“Po hyjmë në dimrin e tretë pas tërmetit, por shpenzimet për atë monstrën prej betony dhe çeliku që e quani “Veliera” nuk janë ndalur. Në vitin 2020 i keni dedikuar 850 milionë lekë dhe në vitin 2021 kjo shëmti mori 2.5 miliardë lekë. Pra në total, për diçka që nuk I duhet askujt, durrsakëve jo e jo janë 3.35 miliardë lekë, ndërkohë që ata që u goditën rëndë nga tërmeti, një pjesë e madhe e tyre ende nuk marrin bonuset, dëmshpërblimin apo nuk i rregullohet shtëpia”– tha Bylykbashi.