TIRANË, 4 dhjetor 2013 – Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta si kontribuesit kryesorë të rritjes së korrupsionit në Shqipëri. Nisur nga raporti mbi korrupsionin të 'Transparency International' (TI) deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, u shpreh se nëse qeveria blen votat si në Korçë atëherë mes shqiptarëve është ulur këmbëkryq forma më e gjerë e korrupsionit që është korrupsioni politik.
“Bashkëkryeministrat Rama-Meta janë kontribuesit kryesorë të rritjes së korrupsionit në Shqipëri. Kur shqiptarët e shohin korrupsionin me zë dhe figurë perceptimi i tyre për korrupsionin ngjit shkallët ndërsa besimi i tyre për institucionet bie. Nëse qeveria blen votat si në Korçë mes shqiptarëve është ulur këmbëkryq forma më e egër e korrupsionit, korrupsioni politik që është nëna e të gjitha formave të korrupsionit ”,- u shpreh Bylykbashi në një konferencë për shtyp.
Sipas PD-së qeveria ka vënë në krye të policisë numëruesit e parë dhe donatorët e saj.
“Kur policia dhe shteti vihet në kapistallin politik të qeverisë, në krye të saj vihen numëruesit e parë dhe donatorët e partisë në pushtet, mesazhi që marrin shqiptarët është se duhet të jenë të bindur dhe duhet të paguajnë haraç tek qeveritarët”,- vijoi me tej deputeti i PD-së.
Bylykbashi theskoi se kryeministri Rama i ka thënë INUK të prishë ndërtime me leje dhe pa leje.
“Kur kryeinspektori i INUK ka lejen e kryeministrit për të prishur çdo ndërtesë me leje ose pa leje qytetarët duhet ta kuptojnë se e vetmja zgjidhje për ta nuk është ligji, por të paguajnë tek kryeministri”.
Sipas Bulukbashit kryeministri Rama kërkon të gënjejë shqiptarët dhe partnerët duke sjellë pa asnjë konsultim projektligje që gjoja do të luftojnë korrupsionin. “Partnerët tanë ndërkombëtar si OPDAT, pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe OSBE e quajnë këtë propozim damagogjik si një hap prapa në luftën kundër korrupsionit. Demagogjia në luftën kun dër korrupsionit është po aq e rrezikshme sa edhe vetë korrupsioni” theksoi deputeti I PD-së.





