10 tetor 2013- Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi është prononcuar sot në lidhje me kandidaturën e Sokol Çomos si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. "Sot mazhoranca socialiste, pasi e kaloi me nxitim në Komisionin e Ligjeve, voton kandidaturën e z.Sokol Çomo si anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Z. Sokol Çomo, ish zëvendës ministër i Drejtësisë në kohen e qeverisjes socialiste, është rrëzuar më parë nga Parlamenti, si kandidaturë haptazi politike, e cila do të cënonte pavarësinë e gjyqësorit nga politika. Me votimin sot nga mazhoranca e verbër e votave, kryeministri Rama po rikthen modelin e emërimeve politike në institucionet e drejtësisë.
Kjo është e vërteta e të ashtuquajturës reformë të drejtësisë që po trumbeton zoti Rama dhe të tijët: Jo pavarësia e gjyqësorit, por kontrolli dhe nënshtrimi politik i tij përmes emisarëve të devotshëm të mazhorancës. Kjo nuk është reformë. Ky është revansh ndaj institucioneve të pavaruara të drejtësisë.
Duke denoncuar votimin e kësaj kandidature, opozita është e vendosur që të mbrojë me çdo çmim institucionet e pavarura dhe të ndalë këtë revansh, për kapjen e institucioneve të pavarura që kanë si detyrë kushtetuese, kontrollin e pushtetit të qeverisë".





