TIRANË, 6 tetor 2013 – kreu zyrtar i PD-së Lulzim Basha ka nxjerrë para gazetarëve deputetin e Durrësit Oerd Bylykbashin që deklaroi më 6 tetor 2013 se Edi Rama, me emërimin në poste të larta në administratë të ish-anëtarëve të tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shpërbleu guerrilasit militantë që i shërbyen atij për të minuar parimet e zgjedhjeve demokratike, konsensusit dhe të shtetit të së drejtës. Sipas durrsakut, “për këtë sjellje, këta anëtarë të KQZ-së meritonin ndëshkim sipas Kodit Zgjedhor. Por Edi Rama po i shpërblen për punën prej militanti të zellshëm politik. Ashtu siç dhanë dorëheqjen njëkohësisht, po njëkohësisht Denar Biba u emërua Kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, ndërsa Albana Shtylla u emërua Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit. Po kështu, Ilirjan Muho u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave”. Por Bylykbashi, si durrsak i urtë, u tregua tepër i sjellshëm kur nuk akuzoi Edi Ramën se ka kopjuar PD-në, që ish-kryetarin e KQZ-së Arben Ristanin, i cili nxori Bashën kryetar bashkie në Tiranë, e emëroi zëvendësministër të Brendshëm dhe kandidat për deputet. Madje-madje, kopjimi shkon edhe më thellë: edhe Celibashin, paraardhësin e Ristanit, PS-ja e bëri deputet.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





