Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka krahasuar kryeministrin Edi Rama përsa i përket deklaratës së këtij të fundit për të dërguar satelitë në hapësirë, si një minikopje të liderit komunist në Korenë e Veriut, Kim Jong-un.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Bylykbashi shkruan se këto deklarata të kryeministrit janë për të tërhequr vëmendjen nga problemet që ka vendi.
Deputeti i PD-së, shprehet se kryeministri Rama duhet t`i lejë ëndrrat me satelitë dhe t`u japë bonusin e qirasë qytetarëve durrsakë të dëmtuar nga tërmeti pasi kanë tre muaj pa e marrë.
Postimi i plotë i Bylykbashit:
Kur je një minikopje e shëmtuar e Kim Jong-Un
Do të hedh satelitë në orbitë, thotë Edi Rama!
Diktatori koreano-verior vërtet hedh raketa balistike e tremb dynjanë, por ky autokrati ynë në krye të qeverisë maksimumi shashka për të tërhequr vëmendjen nga hallet hedh.
Një gjë ngjason në delirin e të dyve: në Korenë e Veriut vuajnë urie; në Shqipëri dhjetëra mijëra familje nuk mbyllin muajin.
Kryeministri ynë t’i lejë ëndrrat me satelitë, e të bëjë ndonjë punë për shqiptarët.
Për shembull t’u japë urgjent bonusin e qerasë qytetarëve durrsakë të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 sepse kanë tre muaj pa e marrë.
Kur deshi t’u merrte votat derdhi miliona euro, tani i harroi në mes të hallit.