14 dhjetor 2014 – Me anë të një deklarate për mediat, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se qeveria vazhdon shkarkimet e nëpunësve dhe rekrutimet e paligjshme të militantëve socialistë. "Tashmë është fakt i njohur botërisht se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar aktin normativ, me të cilin qeveria Rama-Meta shtyu për në datën 1 prill 2014, hyrjen në fuqi të ligjit të ri për nëpunësin civil.
Por qeveria vazhdon shkarkimet e nëpunësve dhe rekrutimet e paligjshme të militantëve socialist, sipas këtij akti normativ anti-kushtetues, dhe ne i kujtojmë kësaj qeverie se që nga data 1 janar 2014, edhe sipas aktit normativ, ndalohet çdo rekrutim sipas ligjit të vjetër.
Neni 68, pika 1 e ligjit të ri përcakton pa ekuivok se: "Asnjë procedurë e re e plotësimit të një vendi të lirë, nuk fillon 3 muaj përpara datës së shtrirjes së efekteve të këtij ligji”. Sipas aktit normativ anti-kushtetues, ligji i ri hyn në fuqi më 1 prill 2014 dhe sipas nenit të mësipërm, duke filluar nga 3 muaj para 1 prillit, pra duke filluar nga data 1 janar, nuk mund të bëhet asnjë rekrutim i ri sipas ligjit të vjetër. Edhe truku që kjo qeveri përdori në shkelje të Kushtetutës, duke filluar nga data 1 janar 2014, nuk funksionon më. Çdo vend vakant tashmë mund të plotësohet vetëm me procedurat e ligjit të ri të nëpunësit civil. Pra deri më datë 1 prill, qeveria i ka duart të lidhura edhe sipas vetë aktit të saj normativ dhe nuk mund të rekrutojë militantët e saj. Çdo punësim i ri pas datës 1 janar 2014 është absolutisht i pavlefshëm, është nul, dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik. Sigurojmë të gjithë nëpunësit civilë të shkarkuar pas datës 1 tetor 2013 se edhe këto shkarkime do të shpallen nul dhe absolutisht të pavlefshme, sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj. Si pasojë e kësaj dispozite ndaluese taksative, çdo largim pas datës 1 janar shkakton boshllëk të paligjshëm në ushtrimin e funksioneve të administratës, sepse askush nuk mund të zërë vendin e zbrazur. Kjo e thekson edhe më shumë paligjshmërinë kriminale të shkarkimeve që po bën kjo qeveri, sepse po dëmton funksionimin e ligjshëm të shtetit. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndalë shkarkimet e paligjshme si dhe paralajmëron sërish drejtoreshën e Departamentit të Administratës Publike, dhe çdo drejtues institucioni, apo zyrtar tjetër me përgjegjësi në procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë, se do të mbajnë përgjegjësi penale për "shpërdorim detyre" dhe "dëm ekonomik", si pasojë e këtij shpërdorimi flagrant, që vjen si pasojë e pagesës së dyfishtë për dëmshpërblimin e paguar për largimet e paligjshme dhe pagat e dhëna pa të drejtë militantëve partiakë", përfundon reagimi.





