Një ditë pasi socialisti Blendi Çuçi la të kuptohet se Partia Demokratike, është tërhequr nga votimi elektronik, bashkëkryetari i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi, e cilësoi tentavivë boshe duke deklaruar se kurrë nuk tërhiqen nga ai prioritet. Bylykbashi tha se mazhoranca nuk e do teknologjinë pasi ajo i shkatërron mekanizmat me të cilat mbajnë pushtetin.
Pavarësisht shpalljes së parlamentit si të delegjetimuar dhe kërkesës për largimin e qeverisë, Partia Demokratike është e interesuar dhe kërkon që të punohet në reformën zgjedhore.
Në një intervistë për Ora News, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm Oerd Bylykbashi, iu përgjigj mazhorancës duke theksuar se prioritet thelbësor mbetet votimi dhe numërimi elektronik.
Bylykbashi: Ta harrojë mazhoranca se PD tërhiqet nga ky prioritet, pa këtë mbetemi në kënetën me ujë të ndotur që ka prodhuar në dy palë zgjedhjet e fundit kjo mazhorancë.
Bylykbashi, tha se elektronika ne zgjedhje do ti jepte fund disa problemeve thelbësore në proces, por kjo u shpreh ai nuk i intereson mazhorancës. Duke dhënë këtë argument:
Bylykbashi: I interesojnë komisionerët e korruptuar, komisionerët të cilët mund ti komandojë në çdo moment për të vjedhur votën në numërim, i intereson që të manipulojë me listat e zgjedhësve.
Ndryshe për çfarë foli bashkryetari i komisionit të reformës zgjedhore Blendi Çuçi, demokrati Bylykbashi sqaroi se opozita nuk ka kërkuar kurrë votim online.
Bylykbashi: Ajo që ne propozojmë është votimi elektronik por që nuk është online. Është e pamundur që piratët informatikë të ndërhyjnë për të ndryshuar rezultatin.
Mazhoranca dhe opozita janë në diskutim të vazhdueshëm për reformën dhe kjo pranohet nga Bylykbashi, por sipas tij deri tani është diskutuar vëtëm për rrugën që do ndiqet, ndërasa pranoi se pjesë e punës do të jetë dhe diskutimi mbi sistemin. Por për Bylykbashin problemi nuk qëndron këtu.
Bylykbashi: Këtu është faji i rojtarit i cili ka çelësin në dorë dhe ju ka hapur portën këtyre elementëve jo përfaqësues në listë.
Një ndër prioritet kryesore në reformë do të jetë dhe vota e emigrantëve, por Bylykbashi nuk kaloi pa ironi propozimin e mazhorancës për këtë çështje.
Bylykbashi: Propozimi qesharak, përpiqem të kuptoj sesi Ministria imagjinon që 500 mijë shqiptarë me të drejtë vote në Itali do të shkonin të votonin vetëm në tre pika, në ambasadë dhe dy konsullata. /oranews





