Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka votuar rreth orës 14:00 në qendrën e votimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Pas votimit, Bylykbashi dhe një deklaratë për mediet, ku bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë në votime.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e bashkisë së Durrësit. Me votën e tyre ata kanë mundësinë të bëjnë ndryshimin”, tha ai.

“Sot vota e durrësakëve është shume e rëndësishmë dhe thirrja ime është: Dilni dhe votoni masivisht pasi mund të ndryshoni fatin e këtij qyteti”, shtoi Bylykbashi.

Deputeti i PD-së renditi dhe disa nga problematikat me të cilat është ndeshur sot procesi zgjedhor në qytet.

“Ka patur disa incidente kryesisht në zonën e Spitallës, por edhe në vende të tjera. Në zonën e Spitallës te shkolla “Demokracia” dhe te shkolla “Neim Babameto” ndodhi një situatë e papranueshme ku punonjës të administratës, punonjës të Policisë Bashkiake, militantë të PS-së kishin mbushur ambientet, krejtësisht në kundërshtim me ligjin”, tha Bylykbashi.

Përsa i përket pjesëmarrjes, ai tha se nuk ka qenë e lartë, kjo dhe për shkak të motit të keq.

“Pjesëmarrja nuk ka qenë e lartë deri në mesditë, e pafavorizuar nga moti i keq, por unë përfitoj nga rasti t`i bëj thirrje durrësakëve dilin dhe votoni masivisht, është e drejta juaj, është vota juaj, vetëm ajo e bën ndryshimin që ky qytet të qeveriset ndryshe”, u shpreh deputeti i PD-së.