DURRËS, 18 tetor 2014 – Deputeti durrsak i Partisë Demokratike, z. Oerd Bylykbashi në profilin e tij në facebook ka bërë një përshkrim në retrospektivë të kompleksit të madh serb (mospranimin e përgjegjësisë dhe fajit). Duke iu referuar fakteve historike, ai trajton problemin e huliganizmit të pashembullt dhe ekstremizmit tek fqinjët tanë. Ja dhe komenti i tij:
Në shekullin 14-të, nën Car Dushanin, pushtuan Shqipërinë, Maqedoninë dhe një pjesë të Greqisë. Sipas historianit Noel Malcolm në "Kosova, një histori e shkurtër", mizoritë e tyre mbi popullsitë e pushtuara nuk krahasoheshin, as me ato te pushtimit turk të mëvonshëm. Sot, ata krenohen me Car Dushanin.
Në 1389, serbët u mundën bashkë me shqiptarët, maqedonasit, kroatët e boshnjakët nga ushtria turke në Fushë Kosovë. Ajo qe një ditë fatkeqe për të gjithë ballkanasit, por serbët e festojnë humbjen, sot e kësaj dite sikur të kishin fituar (?!) dhe sillen sikur të ishin viktimat e vetme të pushtimit turk. Në fakt, kur më pak se 60 vjet më vonë, Skënderbeu tentoi të bashkohej në betejë kundër turqve me gjeneralin e famshëm hungarez Janiosh Huniadin, mbreti i Serbisë e pengoi të kalonte nëpër Kosovë dhe Huniadi u mund.
Në 1912-1913, pasi pushtuan gjysmën e tokave shqiptare dhe masakruan e përzunë dhjetëra mijëra shqiptarë të pafajshëm, ishin të bindur se po merrnin tokën e tyre dhe po vinin në vend një padrejtësi që u ish bërë atyre.
Pasi masakruan dhjetëra mijëra boshnjakë e kroatë nga 1991-1995, në 1999, pasi serbët masakruan përsëri mijëra shqiptarë në Kosovë dhe përzunë mbi një milion shqiptarë të tjerë në një pastrim etnik, NATO i përzuri duke i bombarduar. Sot, ende ankohen se ishin viktima të një bombardimi të padrejtë.
Pasi kanë treguar një varg aktesh huliganizmi masiv në sport (Gjenova, Itali në 2010 është vetëm një rast), në ndeshjen Serbi-Shqipëri, pasi fërshëllyen himnin e miqve, thërrisnin në kor "vritini shqiptaret", nuk lejuan tifozët miq e as flamujt e tyre, sulmuan futbollistët, etj, kanë edhe paturpësinë dhe ankohen se fajin e kishin 35 sportistët shqiptarë për atë huliganizëm racist të pashembullt të rreth 30 mijë tifozëve.
Shumë prej atyre që ishin pjesë e atij huliganizmi masiv në stadiumin e Beogradit, kanë qenë pjesë e luftërave për pastrim etnik dhe Serbi të Madhe nga 1991-1999, apo fëmijë të tyre, pra të mbushur me mllef ndaj kujtdo populli joserb.
Serbët janë të bindur se janë popull i zgjedhur nga Zoti dhe e mbajnë veten për të qytetëruar. Ndaj nuk dinë të kërkojnë falje. Qytetërim nuk është sa luftëra, pushtime apo masakra ke bërë në histori. Të kërkosh falje për huliganizmin e pak ditëve më parë është më pak, se minimumi i qytetarisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/