Kreu i PD-së Lulzim Basha e quan provokim dhe të papranueshëm draftin e qeverisë për ngritjen e Byrosë së Hetimit. Varianti që është publikuar, sipas Bashës nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve amerikanëve dhe Komisionin të Venecias.

“Varianti që është publikuar nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve amerikanëve dhe Komisionin e Venecias. Ky është një variant tjetër, jo ai për të cilin ne kemi dhënë dakordësinë tonë. Se pse Edi Rama 5 ditë më parë nxori Arben Ahmetajn për të komunikuar se nuk do ta kalonte ligjin për Byronë e Hetimit pa ardhur edhe një herë rekomandimet e Venecias dhe katër ditë më vonë ndryshoi mendje, kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni ju.

Unë dua të përsëris këtu se Partia Demokratike ka qenë dhe është e vendosur për Byronë Kombëtare të Hetimit sipas draftit të rakorduar me partnerët tanë amerikanë dhe në përputhje me rekomandimin nr. 90 të Venecias të 23 dhjetorit apo 21 dhjetorit të vitit të kaluar. Dhe nëse mazhoranca e ka këtë vullnet ne e votojmë sot.

Sigurisht një variant unilateral, i cili nuk merr parasysh rakordimin me partnerët tanë amerikanë dhe Komisionin e Venecias nuk është gjë tjetër veçse një provokim apo një truk për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk do të votohet”, deklaroi Basha sot para gazetarëve.

Lideri i opozitës theksoi se nuk do të votohet, pasi sipas tij, një draft i tillë në vend që t’i hapë rrugë hetimit të korrupsionit dhe krimit, mbyll dosjet e korrupsionit dhe bëhet mburojë për krimin.