Tiranë, 23 korrik 2014 – Një ditë pasi tre deputetë të LSI u shprehën kundër ngritjes së Byrosë së Hetimit dhe shkrirjes së Gardës së Republikës, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje urgjente me anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar rreth kundërshtive që ka ky komision ndaj projektligjit të propozuar nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, për Policinë e Shtetit.

Anëtarë të Komisionit të Sigurisë dhe Komisionit  të Ligjeve kanë kundërshtuar dhe kanë kërkuar të hiqen dy kapitujt më të rëndësishëm të projektligjit, pikërisht kapitullin për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe shkrirjen e Gardës së Republikës.

Një ditë më vonë, kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim anëtarët e këtij komisioni. Sipas burimeve, Rama u ka kërkuar në mënyrë ultimative anëtarëve të Komisionit të Sigurisë të miratojnë të gjitha projektligjet e rëndësishme të qeverisë deri në 31 Korrik, përfshirë edhe ligjin e policisë.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, mësohet se ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e tij për problemet rreth kapitujve për Byronë e Hetimit dhe shkrirjen e Gardës. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka pohuar që projektligji të shqyrtohet me shumë kujdes dhe të gjendet zgjedhje më e mirë.

“Shqyrtojeni me shumë kujdes dhe konsultohuni që të gjendet më e mira”,mësohet se ka pohuar Rama.

Po sipas burimeve, Rama ka pohuar se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të shënojë një kthesë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve. Por, Rama ka qenë më këmbëngulës në shkrirjen e Gardës së Republikës. S

ipas burimeve, deputetët kanë rënë dakord më shkrirjen e Gardës, por struktura e re nuk do të jetë në varësi të drejtorit të policisë, por në varësi të ministrit të Brendshëm.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/