Një operacion i zhvilluar nga policia italiane mëngjesin e sotëm ka çuar në shkatërrimin e një bande që merrej me shitje të lëndëve narkotike, grabitje të pasurive dhe vjedhje me armë, duke arrestuar 22 shqiptarë.

“Ça bon 2” ishte emri i koduar i operacionit të sotëm, që vjen si vijim i operacionit “Ça bon” nisur në vitin 2014, i cili në atë kohë çoi në arrestimin e 5 shtetasve shqiptarë si dhe sekuestrimin e 800 kg marijuanë e importuar nga Shqipëria, e fshehur në brendësi të një blloku çimentoje të transportuar me traget drejt Italisë.

22 personat e arrestuar sot, emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende, janë shtetas shqiptarë të njohur nga forcat italiane të rendit. Sipas përgjimeve telefonike të policisë italiane, trafikantët përdornin mesazhe të koduara për të komunikuar mes tyre. Droga quhej “kuti boje”, “vajza”, “makina”, ndërsa paratë për blerjen e saj quheshin “dokumente” apo procesi i shkëmbimit të mallit “takim për një kafe”.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg marijuanë, 500 gramë kokainë, 2 pistoleta me numër serie të fshirë si dhe 2 pistoleta të tjera të importuara në mënyrë klandestine në territorin italian.