Të gjesh vend parkimi në Durrës, shpesh kthehet në mision shumë të vështirë. Këtë hall e njohin shumë mirë drejtuesit e automjeteve, që shpesh u duhet të bëjnë disa herë rreth-rrotullime derisa të gjejnë një vend të lirë. Në rastin më të keq u duhet ta parkojnë automjetin shumë larg ose në parkingje private dhe më pas të ecin në këmbë deri në mbërritjen në destinacionin e tyre.

Pamjet filmike që kanë mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” janë regjistruar përgjatë Rrugës Tregtare apo bulevardit “Epidamn” siç njihet tani.

Çadra, karrike, biçikleta, motorë…  Gjithçka sheh në bulevard, çdo mjet rrethanor shërben për të mbajtur të lirë një vend parkimi deri në mbërritjen e automjetit të dëshiruar…

Gjithçka mund të përdoret për të mbajtur një vend parkimi të bllokuar. Si për çudi janë të gjitha sende që mund të spostohen shumë kollaj, por nëse tenton të lëvizësh diçka del gjithnjë dikush që mund të bëjë të fortin, apo të të thotë se nuk mund të parkosh aty.

E ndërsa një biçikletë zë një vend parkimi, në çdo orë të ditës me dhjetëra automjete ndezin bllokazhin dhe parkojnë dyshe derisa të mbarojnë punën për të cilën janë aty.

Si për ironi të fatit, në pamjet filmike shfaqet edhe një automjet i policisë, që përshkon rrugën pa i bërë përshtypje zëniet e vendeve të parkimit në formën “alla shqiptarçe”.

Jo më larg se 3 ditë më parë, në Durrës u regjistrua një plagosje e dyfishtë pikërisht për një vend parkimi. Për të evituar situata të ngjashme të përsëriten edhe në qendër të qytetit, autoritetet përgjegjëse duhet të vihen në lëvizje dhe të mos mbyllin sytë para këtij absurdi që regjistrohet vetëm pak metra larg bashkisë.

Durrësi dhe parkingjet publike

Bulevardi “Epidamn” është një nga akset rrugore me përqëndrimin më të madh të bizneseve, në të dy anët e saj. Çdo biznes pretendon të ruajë një vend parkimi para njësisë së tij. Çdo konsumator pretendon të parkojë para biznesit, ku do të bëjë blerje apo konsumojë një kafe.

Eksperimenti social që nisi të aplikohej vite më parë me ngushtimin e akseve në qendër të qytetit dhe mungesën e parkingjeve publike, efektet reale të tij po i jep sidomos muajt e fundit.

Të dhënat më të fundit të INSTAT e rendisnin Durrësin menjëherë pas Tiranës, për numrin e lartë të automjeteve për pasagjerë, duke përllogaritur 207 të tilla për 1000 banorë. Përafërsisht një në pesë durrsakë zotëron një automjet.

Me një popullsi në rritje, me një numër mjaft të konsiderueshëm automjetesh që qarkullojnë në rrugët e qytetit, me rrugët e ngushtuara dhe zero parkingje publike, qendra e Durrësit është kthyer në makthin e drejtuesve të mjeteve.

Ata, më shumë se kushdo tjetër, kanë nisur ta kuptojnë, se, për të mbaruar punë në qendër, automjetin duhet ta parkosh në periferi…

M.B.