Litra të tërë vere u derdhën lumë në rrugët e një qyteti në Portugali pas çarjes së dy çisternave ku ruhej.

Videot e filmuara në São Lourenço do Bairro, Anadia shfaqin lumenj të kuq që përshkojnë rrugët e qytetit me 2000 banorë.

Sipas mediave lokale, janë derdhur rreth 2.2 milionë litra verë, një sasi e mjaftueshme për të mbushur një pishinë olimpike.

Distileria po përgatitej për të ndarë produktin në shishe përpara se të ndodhte incidenti që solli humbjen e konsiderueshme.

“Cunami” i kuq duhej të devijohej përpara se të mbërrinte në lumin Certima dhe të shkaktonte ndotje mjedisore. Zjarrfikësit mundën ta kryenin këtë operacion me sukses dhe ta shpinin drejt një fushe.

Distileria u mor me pastrimin e fushës për t’u siguruar që nuk do të dëmtohej.