Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar në lidhje me lajmin që ka qarkulluar mbi rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, duke e cilësuar atë si plotësisht të pavërtetë.
Cakaj thotë se bëhet fjalë vetëm për plotësim të një formulari online që do të ofrojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash, dhe sipas tij ky sistem pritet të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2023, por edhe kjo çështje mbetet e hapur marrë parasysh disa faktorë të brendshëm rrethanorë.
POSTIMI I PLOTË
Lajmi për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë është krejtësisht i pavërtetë!
Fillimi i zbatimit të sistemit ETIAS nuk ka asnjë lidhje me rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptar. Sidoqoftë, duke marrë parasysh shkallën e lartë të lajmeve të rreme këto ditë, sqarimi i tre gjërave me rëndësi është i nevojshëm:
E para, këtu s’bëhet fare fjalë për rikthim vizash, por vetëm për plotësim të një formulari online që do të ofrojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash.
E dyta, këtu s’bëhet fare fjalë për masë të veçantë enkas për Shqipërinë, por për një procedurë të zakonshme për një listë të gjatë shtetesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Australinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
E treta, këtu s’bëhet fare fjalë për hyrjen në fuqi të kësaj praktike nga data 1 janar 2021. Ky sistem pritet të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2023, por edhe kjo çështje mbetet e hapur marrë parasysh disa faktorë të brendshëm rrethanorë.
Me një fjalë, përtej botës virtuale të lajmeve të pasakta, një gjë është fare e qartë dhe e sigurtë: shtetasit e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojnë ta gëzojnë lëvizjen e lirë dhe pa pengesa në hapësirën e Bashkimit Evropian





