Anulimi i takimit mes Ambasadorit Richard Grenell, dhe përfaqësuesve të Kosovës, nuk e penguan Ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj që të zhvillonte vizitën në Shtëpinë e Bardhë. Përmes një statusi në Facebook, Cakaj bëri të ditur se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Kosovës.

Tre ditë pas anulimit të takimeve të përfaqësuesve të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ka takuar të Dërguarin Special të Presidentit Trump për Negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell. 

Ministria e Jashtme informoi këtë të premte se në takim u diskutua mbi rëndësinë e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

Pas takimit, Cakaj shkroi në facebook se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë apo plane për ndarje e Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin.

”Sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington patëm një takim të shkëlqyer me Ambasadorin Richard Grenell. Biseduam për rëndësinë e një marrëveshje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. 

Për sqarim: S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as shkëmbime territoriale, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e shteteve të bashkuara të amerikës! Pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë i planifikuar që të zhvillohej më 27 qershor, u anulua pasi ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli, u ngritën aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.