Gjatë qëndrimit në Luginën e Preshevës, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka vizituar familjen e Jonuz Musliut, ish-Komandantit të UÇPMB-së e ish-Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Cakaj shkruan në Facebook se takimi u përqendrua në diskutime lidhur me trashëgiminë historike, pozicionin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mundësinë e forcimit të faktorit shqiptar atje.
Ministri në detyrë i shprehu mirënjohjen familjes Musliu për kontributin e tyre historik dhe për punën e pakursyer në të tashmen, si dhe përkrahjen në përpjekjen e tyre të vyer për një të ardhme më të ndritur për gjithë Luginën dhe shqiptarët.
POSTIMI I PLOTË
Gjatë qëndrimit në Luginë, shkuam në Konçul për të vizituar familjen e Jonuz Musliut, ish-Komandantit të UÇPMB-së e ish-Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar!
Biseduam për trashëgiminë historike, pozicionin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mundësinë e forcimit të faktorit shqiptar atje.
Me Shqiprimin, djalin e z. Musliu dhe Kryetarin e partisë Lëvizja e Progresit Demokratik, pjesëmarrëse në listën e Luginës së Bashkuar, ndamë bindjen se unifikimi i brendshëm është kusht themelor për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës! Sidoqoftë, jo vetëm kaq: kemi nevojë edhe për një platformë konkrete të mbështetjes që do të shtjellojmë, zhvillojmë e zbatojmë së bashku!
Mirënjohës për kontributin e tyre historik, falënderues për punën e pakursyer në të tashmen dhe, natyrisht, përkrahës i përpjekjes së tyre të vyer për një të ardhme më të ndritur për gjithë Luginën dhe shqiptarët…





