6 mars 2015 – Në zonën e “Brrylit” në kryeqytet, mëngjesin e sotëm është dhënë alarmi për bombë. Mësohet se kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë konstatuar sasinë e lëndës eksplozive, duke njoftuar më pas menjëherë edhe forcat e policisë. Tritoli ishte vendosur në katin e parë të një pallati, para qepenit të një biznesi të vogël, një qendër interneti. Nga të dhënat e para të hetimeve, bëhet e ditur se ka qenë një sasi prej rreth 200 gramë lëndë eksplozive me një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 2.5 metra.

Sipas burimeve nga ana e policisë, alarmi është dhënë nga vëllai i Afrim Domës, i cili ka vënë re kallëpin e tritolit duke njoftuar forcat e rendit. Doma, para dy javësh ka bërë kallëzim në polici pasi ka marrë kërcënime nga njerëz të ndryshëm. Gjithashtu bëhet me dije se qendra e internetit është në pronësi të Afrim Doma, i cili aktualisht ndodhet në Itali.

Por, fatmirësisht rreth 50 minuta pas marrjes së informacionit, u arrit të çaktivizohej lënda eksplozive e vendosur pranë qepenit të biznesit. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/