Aksidenti i Himarës që i kushtoi jetën një turisti rus, ka bërë që në pikat e vend-bazimeve të skafeve dhe mjeteve lundruese në Durrës të merren masa.

Nga plazhi i Currilave në Durrës deri te Mali i Robit në Kavajë, ekzistojnë pesë pika të tilla me mjete lundruese që shërbejnë për argëtimin e pushuesve duke praktikuar sporte të ndryshme ujore. Pushuesit thonë se nuk duhet pritur të ndodhë diçka e rëndë që të merren masa, por duhet siguruar jeta e pushuesve.

“Nuk ka pasur kaq shumë rregull, por vetëm ditët e fundit ata po zbatohen rigorozisht. Nuk duhet të ndodhin aksidente që të zbatohen rregullat”, thotë një pushues.

Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit është përgjegjëse për të monitoruar lëvizjen dhe qarkullimin e skafeve të tilla në det.

Por kjo drejtori shpjegon se e ka të pamundur të mbulojë me mjetet e saj patrulluese në det të gjithë vijën bregdetare, dhe shton se shërbimet e përditshëm lëviznin përgjatë plazheve më të populluara për të pasur situatën nën kontroll. / Ora News