Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ulet në bankën e të akuzuarve më 19 qershor. Pas përzgjedhjes së gjyqtarëve, sot është caktuar edhe data e seancës së parë ndaj ish-ministrit, pra 11 ditë para zgjedhjeve lokale.

Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, janë tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-zyrtarit të lartë, i cili akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Procesi ndaj Tahirit do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar. Ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, pa pranuar akuzën, pasi këmbëngul se është i pafajshëm. Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.